Performanca e Madonnës në Eurovision është vënë në dyshim nga organizatorët, pasi këngëtarja ende nuk ka nënshkruar një kontratë për të marrë pjesë.

Mbikëqyrësi ekzekutiv i Eurovision, Jon Ola Sand tha të hënën: "The European Broadcasting Union  kurrë nuk e ka konfirmuar Madonnën si një performuese. Nëse nuk kemi një kontratë të nënshkruar ajo nuk mund të këndojë në skenën tonë."

Festivali i madh i këngës do zhvillohet në Tel Aviv në Izrael më 18 maj.

Performanca e Madonnës u konfirmua nga zëdhënësi i saj në SHBA dhe Britaninë e Madhe në prill.

U raportua se këngëtarja do performonte dy këngë gjatë festivalit, një nga albumi i saj i ri Madame X dhe një këngë të vjetër si "Like a Prayer" e vitit 1989.

Por Sand, producenti i garës që nga viti 2010, tha të hënën se negociatat ishin ende në vazhdim.

"Kemi një artiste që do të donte të merrte pjesë në Eurovision Song Contest dhe ne do të dëshironim ta mirëprisnim në skenë. Por deri tani asgjë nuk është e sigurt. Ne po negociojmë dhe jemi në fazën përfundimtare të saj, por nëse kontrata nuk nënshkruhet këtë javë, ajo nuk do jetë në skenë,"-tha ai.

Sipas Jerusalem Post, Madonna do të mbërrijë në Tel Aviv për të nisur provat të mërkurën.

/Ora News.tv/