Përfituan 3.7 milionë euro nga kreditë fiktive, 7 në pranga, staf i Fondacionit 'Besa'

Shtatë persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen se përfituan 3.7 milionë euro nga kreditë fiktive të dhëna nga Fondacioni "Besa" me aktivitet në Tiranë.

Hetimet kanë nisur pas kallëzimit nga drejtuesit e një fondacionit të cilët akuzuan një pjesë të stafit se kanë dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kanë marrë me interesa shumë të mëdha valutë nga persona të ndryshëm.

Mes personave të ndaluar është drejtoresha e degës së Fondacionit "Besa", 48-vjeçarja Albana Imami, banuese në Tiranë, 41-vjeçarja Orkida Driza në rolin e ndërmjetësueses për gjetjen e personave për kredi fiktive, 4 ish-oficerë kredie në këtë Fondacion dhe një sekser.

Policia tha se nga hetimet e deritanishme rezulton se 48-vjeçarja Imami në pozicionin e drejtores së degës së Fondacionit "Besa" kishte krijuar këtë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur kanë lëshuar kredi në mënyre fiktive.

Klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi.

Ata paraqiteshin  vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve nga banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë këta persona përfitonin 25-35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga drejtorja e degës, oficerët e kredisë dhe sekserët që siguronin klientët.

Në përfundim të këtij procesi nga drejtorja e Fondacionit "Besa" lëshohej një vërtetim fiktiv sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likujduar nga klienti.

Shuma e kredive që janë dhënë nga ky staf deri tani ka shkuar në vlerën e 2 milion eurove dhe me përditësimin e saj shkon në rritje.

Nga drejtorja e degës së Fondacionit "Besa",Albana Imami, që administronte disa filiale të Fondacionit në njësinë numër 4 në kryeqytet, dyshohet se janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi që kap vlerën deri në 1.7 milion euro.

Si bëhej përfitimi nga kredia-"Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti" informoi sot policia e shtetit.

Janë dhënë 2 mln euro kredi-"Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën 2 000 000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në rritje.  Nga Drejtoresha e Degës, shtetasja A. I., janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milion euro" sqaroi me tej policia.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale “Skemat mashtruese dhe piramidale", "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.

Vazhdojnë hetimet intensive për evidentimin e përmasave  të kësaj skeme mashtrimi dhe përftimit nëpërmjet këtyre kredive fiktive.

Në kuadër të operacionit të koduar "Kredia" policia arrestoi:

 A. I., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit.

B. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.

M. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.

M.H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.

E. V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.

O. D., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive.

A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza do t’i komunikohet në ambientet e burgut.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një shtetasi, pjesëtar i grupit, në rolin e sekserit dhe vijon puna për kapjen e tij.

EMISIONET