Përballen në Bratislavë, Thaçi: Jo dialog me kushte; Vuçiç: Pranojmë çdo negociatë, vetëm hiqni tarifat

Përballen në Bratislavë, Thaçi: Jo dialog me kushte;

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç shkëmbyen pikëpamje të ndryshme gjatë diskutimeve në Forumin e “Globsec” që po mbahet në Bratislavë të Sllovakisë. Presidenti Thaçi theksoi se nuk mund të ketë dialog me kushte. Ndërsa Presidenti i Vuçiç, u shpreh i gatshëm për çfarëdolloj negociate, por vetëm kërkoi shfuqizimin e tarifës ndaj produkteve serbe.  

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paraqitën pikëpamje të ndryshme në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve.

Gjatë diskutimit në panelin e Forumin “GloboSec”, Thaçi akuzoi presidentin serb Vuçiç, për kushtëzimin dhe pengimin e vazhdueshëm të dialogut me Kosovën.

“Duam marrëveshje me Serbinë që do të sillte njohje reciproke, pa kufij me vija etnike. Një marrëveshje e cila do të sillte anëtarësim të Kosovës në OKB dhe njohjen e pesë vendeve të BE-së, përfshirë Sllovakinë,” tha Thaçi.

Sipas tij, ka ende shpresë se marrëveshja mund të arrihet këtë vit, ndërsa i kërkoi Serbisë të mos bëhet pengesë e dialogut.

“Nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim e Kosovës në UNESCO e Interpol. Por, unë besoj se në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe Samiti i Parisit do të jetë një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkretë për vazhdim të dialogut dhe arritjen e marrëveshjes”, tha Thaçi.

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh i gatshëm për çfarëdolloj negociate, por vetëm kërkoi shfuqizimin e tarifës ndaj produkteve serbe.  

“Vetëm hiqni dorë nga tarifat dhe ne do të vazhdojmë me çfarëdolloj negociate që dëshironi”, tha Vuçiç.

Presidentët Thaçi e Vuçiç pritet të marrin pjesë në takimin e thirrur më 1 korrik në Paris nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane, Angela Merkel.



EMISIONET