Ndërkohë që Kosova përgatitet, të festojë 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Serbia duket se ka intesifikuar ofensivën diplomatike, jo vetëm për të bllokuar njohjet e reja të Kosovës shtet, por edhe për të siguruar tërheqjen e disa prej këtyre njohjeve.

Qeveria e Kosovës dhe analistët politikë vlerësojnë se ofensiva e diplomacisë serbe kundër shtetit të Kosovës vazhdon që nga shpallja e pavarësisë në 2008, por sipas tyre kohët e fundit kjo ofensivë është bërë më e dukshme më intensive. Mediat serbe raportuan më herët se së shpejti pritet një fitore e madhe, që Egjipti ta tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës, pasi marrëdhëniet Egjipt-Kosovë nuk kanë pasur asnjë lloj përparimi. Duket se këtë e ka konfirmuar edhe presidenti aktual egjiptian, Abdel fattah El-Sisi gjatë një takimi me Aleksandar Vuçiç. 

Gjithashtu Shteti i Surinamit u bë i njohur, vetëm pasi ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç deklaroi se ky shtet e kishte tërhequr njohjen Kosovës dhe më vonë u bë publik dhe dokumenti nga ambasadori i Surinamit në OKB.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Anton Berisha në  një intervistë për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se veprimet Serbisë, janë kategorikisht në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

 “Në 10 vjetorin e  shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia ka nisur një aksion edhe më të dendur, per të relativizuar këtë ngjarje, ndonëse ajo nuk ka ndalur asnjëherë, rreth kontestimit të njohjes së shtetësisë së Kosovës, është shprehur  Berisha. Megjithatë ai nënvizoi se pavarësisht asaj që mund të thonë zyrtarët serbë, shtetet serioze përfshirë edhe Egjiptin, nuk përfshihen në situata të tilla. Sidoqoftë, për opinionin në Kosovë ende mbetet mister nëse Republika e Guinea-Bissau dhe Republika e Surinamit i kanë tërhequr, njohjet e tyre ndaj Kosovës. Ndërkohë në listën e njohjeve të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës figurojnë 115 vende, përfshirë edhe këto dy shtete.

/Ora News.tv/