Pengesa Kosovës, Shqipëria pas Serbisë për tarifat dhe burokracitë doganore

Pengesa Kosovës, Shqipëria pas Serbisë për tarifat dhe

Pavarësisht rritjes së eksporteve midis dy vendeve muajt e fundit, biznesi është ankuar për barrierat tregtare që ekzistojnë midis dy vendeve. Gjatë forumit ekonomik 'Sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri' u theksua se Shqipëria u rendit pas Serbisë për tarifat dhe burokracitë në doganë. Ky problem u pranua edhe nga zyrtarët e lartë të cilët premtuan të kenë si objektiv zgjidhjen e problemit.

Kosova vazhdon të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare, madje në katër muajt ekspertët u rritën me 52 për qind. Por klima e bashkëpunimit nuk shoqërohet me heqjen e pengesave burokratike. Për përmirësimin e situatës u organizua një takim mes grupeve të punës.

Drejtori ekzekutiv i forumit mbarë-shqiptar Astrit Panxha deklaroi se Shqipëria renditet pas Serbisë për barrierat në tregti. Disa prej tyre janë skanimi dhe tarifat doganore.

Astrit Panxha: Vendi i dytë ku kemi më së shumti sfida është Shqipëria. 23% e të anketuarve kanë treguar që problemin e dytë për eksport e kanë Shqipërinë.

Për kreun e Dhomës së Tregtisë së Tiranës mbledhjet e të dyja qeverive nuk kanë sjellë asgjë konkrete.

Nikolin Jaka: A jemi në rrugën e duhur apo jemi në kuadër të organizimit të mbledhjeve, të bërjes së deklaratave dhe asgjë më shumë përtej ekraneve të mediave apo edhe tryezave që mblidhen.

Zv.kryeministri Fatmir Limaj theksoi se pala shqiptare ka krijuar më shumë barriera ndërsa premtoi se në qershor do të zbatohen marrëveshjet.

Fatmir Limaj: Për herë të parë po flasim me terma konkretë dhe në fund të qershorit marrëveshjet që kemi bërë në Pejë do të implementohen dhe pak a shumë na jepni shpresë se fokusimi në detyra mund të realizohen konkretisht.

Ndërkohë Ministrja e Financave, Anila Denaj, theksoi se tashmë në objektiv mbetet lehtësimi i tregtisë ndërsa premtoi se mund të rishikohet  tarifa e skanimit.

Anila Denaj: Është një çështje e cila vërtet na lidh me një kompani e cila ofron shërbime koncesionare. Mendojmë që nuk është e pamundur të ulemi dhe të flasim me kompaninë, të diskutojmë.

Ndryshe nga vendet e tjera ku eksportet made in Albania kanë shënuar rënie, tregtia midis me Kosovës rezulton të jetë rritur me rreth 100 mln euro brenda katër viteve.

EMISIONET