Arsimimi në  Shqipëri kushton rreth 4 herë më shumë sesa në Europë, ndërkohë që niveli i pagave rezulton të jetë disa herë më i ulët.

Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se një familje shqiptare shpenzon rreth 3.9% të totalit të të ardhurave.

Ky nivel e bën Shqipërinë një nga vendet ku familjet sakrifikojnë për të shkolluar fëmijët.

Pedagogu, Ervin Goci, shprehet se kjo situatë është e patolerueshme, duke kërkuar përgjysmim të menjëhershëm të tarifave.

Ervin Goci: Si mundet që ti të kesh 3-4 herë më shumë tarifa shkollimi për të ardhura, se vendet e zhvilluara të Europës,  kur ti je vendi më i varfër. Është e papranueshme. Janë falas, janë me tarifa minimale, janë me kosto administrative. Nuk paguhet më edukimi.

Sipas pedagogut, këto tarifa nuk justifikojnë kushtet e arsimimit në vend, ndërsa thekson se vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të tyre.

Ervin Goci: Unë kam paguar 40 mijë lekë të vjetra kur kam qenë student dhe ju betohem se ka qenë më mirë sesa sot. Sot paguhet 400 mijë, 10-fish më shgumë. Dhe të paguash 10-fish më shumë për një mall, meqë këta kanë shumë qejf ta quajnë mall, duhet të kesh një cilësi 10-fish më të lartë.

Por sa kushton arsimi i lartë në Shqipëri? Në varësi të degëve, vetëm tarifa vjetore në sistemin bachelor varion nga 20 mijë-50 mijë lekë që e ka dega e Mjekësisë.

Ndërkohë në sistemin master, shpenzimet pothuajse dyfishohen dhe kostoja shkon nga 72 mijë lekë më e ulëta deri në 105 mijë lekë masteri shkencor.

Nëse llogaritim një total të shpenzimeve duke përfshirë tarifat, strehimin, ushqimin dhe blerjen e materialeve didaktike, një vit shkollimi i një studenti mund të kushtojë rreth 400 mijë lekë në vit dhe kjo në varësi të degës.

/Ora News.tv/