Basha udhëzues të ri PD: Refuzoni pseudodebatet e mercenarëve mediatikë të Ramës

Televizioni Ora, ka zbardhur një dokument që Partia Demokratike i dërgon strukturave kryesore si ish-grupit parlamentar, këshillit kombëtar,  kryesisë dhe gjithë organeve të tjera në çdo nivel. Nëpërmjet tij i sqaron për atë që e quan propagandë të qeverisë dhe i udhëzon për mënyrën se si ata duhet të reagojnë. 

Dokumenti është shpërndarë në datën 23 gusht, ndërsa në të thuhet se  nga data 20 shkurt kur Partia Demokratike ka djegur mandatet,  investimi më i madh i qeverisë është propaganda dhe tentativa për të përçarë opozitën. 

Për këtë qëllim, në dokument, Partia Demokratike thotë se kryeministri Edi Rama, ka blerë mediet kryesore në vend duke përdor paratë e korrupsionit dhe krimit. Selia blu, përmend me emra mediet, por dhe gazetarët të cilat sipas saj ndihmojnë qeverinë në propagandë.

Në letër thuhet se propaganda e qeverisë ka dy qëllime:

“Të frenojë rritjen e besimit tek opozita dhe Partia Demokratike.  Të shfokusojë vëmendjen nga skandalet qeveritare”

Partia Demokratike, ju bën me dije strukturave edhe faktin që sipas saj  Rama, ka blerë dhe po përdor  edhe ish funksionarë të selisë blu.

“Për t’ia arritur këtij qëllimi, Edi Rama u investua fuqishëm në blerjen e deputetëve të PD-së dhe opozitës, kandidatëve në listat vijuese për deputetë dhe, bashkë me disa prej tyre, vendosi të përdorë hapur kundër PD-së disa ish-funksionarë të PD-së,që shpërdoruan besimin e demokratëve”

Partia Demokratike udhëzon funksionarët e saj, që më nisjen e sesionit të ri politik, të shmangin  shfokusimin nga kauzat kryesore opozitare dhe publike, duke refuzuar ato që i quan pseudo debate.

"Të shmangim shfokusimin nga kauza kryesore opozita dhe publike duke refuzuar pseudodebatet, diskutimet apo komentet publike ndaj pseudoanalizave të mercenarëve politikë dhe mediatikë të Edi Ramës."


EMISIONET