Partia Demokratike ka rikthyer në vëmendje përgjimet e publikuara nga gazeta Gjermane "Bild". Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi,  ftoi shqiptarët që t'i bashkohen protestës së 21 qershorit, duke i bërë thirrje  Edi Ramës, të largohet me sa më pak kosto si kryeministri që bleu zgjedhjet me krimin dhe përgjegjësi kryesor për mbylljen e derës së Evropës për të tretën herë.

Bardhi: Përgjimet e publikuara pak ditë më parë në gazetën gjermane Bild, me qarkullimin më të madh në Europë, provuan si plotësisht të vërtetë çdo denoncim të Partisë Demokratike se Edi Rama nuk ka vullnet për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, se Edi Rama, për pushtetin dhe pasurinë e tij personale, bën pakt edhe me djallin. Në përgjimet e gazetës gjermane Bild gjendet arsyeja përse Europa refuzon të pranojë në familjen e vet një vend, ku bandat dhe krimi i organizuar janë zotër të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, blejnë vota dhe kërcënojnë kundërshtarët politikë për llogari të kryeministrit Edi Rama.  

Po risjellim edhe një herë në vëmendjen e publikut përgjimet e publikuara nga e përditshmja gjermane Bild, përgjime të cilat po e detyrojnë Edi Ramën të sajojë çdo marrëzi, për të larguar vëmendjen prej të vërtetës - Edi Rama ka blerë pushtetin me krimin, ai është kryeministër ilegjitim dhe ai duhet të largohet me sa më pak kosto për vendin.

Me këtë qëllim, qytetarët do të bashkohen të premten e ardhshme, më 21 Qershor, si kurrë më parë në histori, për t’i treguar botës mbarë vendosmërinë e palëkundur se ne, shqiptarët, nuk heqim dorë nga aspirata për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas! 

Boll më me Shqipërinë që duan Edi Rama, një grusht pushtetarësh të korruptuar në palcë, një grusht kriminelësh dhe oligarkësh grabitqarë! Tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve!  

/Ora News.tv/