PD: Qeveria detyron biznesin të ndërrojë kasat fiskale; Ahmetaj: VKM-ja për hidrokarburet

PD: Qeveria detyron biznesin të ndërrojë kasat fiskale; Ahmetaj:

Partia Demokratike  deklaroi sot se  Qeveria ka nxjerrë një vendim që skualifikon kasat ekzistuese fiskale dhe detyron bizneset të pajisen me kasa të tjera.

Sipas deputetit Endri Hasa, nga 1 herë në ditë, bizneset detyrohen të transmetojne çdo shitje në kohë reale, një funksion që kasat ekzistuese nuk e kanë.

Ai thotë se kosto e vendimit korruptiv të qeverisë është nga 600-1000 euro për çdo biznes.

Hasa: Pak ditë më parë qeveria ka miratuar një vendim që, praktikisht, skualifikon kasat ekzistuese.Aktualisht, kasat fiskale janë të programuara të transmetojnë të dhëna vetëm 1 herë në ditë, kur biznesi mbyll xhiron, por me VKM Nr. 651, qeveria ka ndryshuar karakteristikat teknike për pajisjet fiskale, duke futur si kriter shtesë – “transmetimin e çdo shitjeje në kohë reale në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.

Kërkesat e sistemit të ri detyrojnë çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisjet e reja që mundësojnë transmetim të çdo shitjeje në kohë reale. Kjo do të thotë se 15 milionë eurot e tenderit korruptiv me kompaninë e paracaktuar kroate, janë vetëm maja e ajsbergut, sepse fatura për bizneset llogaritet të kushtojë nga 80-100 milionë euro.

Reagon Ahmetaj: Vendimi lidhet me hidrokarburet

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një reagim në fb pas kësaj deklarate thotë se nuk ka asnjë VKM për ndryshimin e kasave fiskale për bizneset.

Sipas tij, vendimi i qeverisë ka lidhje me forcimin e sistemeve të kontrollit të sasive të hidrokarbureve, në favor të qytetarëve dhe buxhetit.

Ahmetaj: Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 651, datë 31.10.2018, nuk ka të bëjë aspak me kasat fiskale të bizneseve, por lidhet vetëm me sistemet fiskale për kontrollin e sasive në shoqëritë e hidrokarbureve dhe të shitjes së tyre me pakicë.

Së pari, ka një ndryshim thelbësor mes “sistemeve fiskale” dhe “kasave fiskale” dhe së dyti, efekti i kësaj VKM-je shtrihet vetëm mbi rreth 3 mijë sisteme fiskale të lidhura me sektorin hidrokarbur dhe aspak mbi rreth 145 mijë kasa apo pajisje fiskale që përdoren nga bizneset e tjerë në Republikën e Shqipërisë.

Vetëm “eksperti X” i PD nuk e lexon dot atë që është e shkruar e zeza mbi të bardhë, ose për meritën e tij, nuk arrin ta kuptojë.Ky standard i ri që aplikohet për shoqëritë e hidrokarbureve, është një hap më tej për forcimin e kontrollit dhe të monitorimit të këtij sektori të rëndësishëm duke mbyllur hapësirat potenciale për evazion.

Monitorimi i depozitave të tregtuesve me shumicë do të behët në mënyrë automatike duke raportuar sasinë e karburantit periodikisht si dhe duke rakorduar hyrje-daljet në të . Po kështu mundësohet monitorimi i depozitave të pikave fundore të shitjes së karburantit si dhe raportimi në kohë reale i shitjeve fundore të tyre. Në këtë mënyrë, bëhet një monitorim i plotë i lëvizjeve të sasive të karburantit dhe një rakordim më i saktë i sasive të tregtuara në vend në kohë reale!

Këto ndryshime, janë një instrument i duhur në favor të administratës fiskale, për të adresuar më mirë administrimin e një sektori shumë të rëndësishëm për të ardhurat publike.


EMISIONET