PD publikon pasaportën: Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi

Partia Demokratike ka publikuar fakte të reja, që sipas saj vërtetojnë dënimin në Greqi të kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmakut. sekretari i përgjithshëm gazmend Bardhi publikoi të dhëna nga sistemi tims, që vërtetojnë se agim kajmaku dhe Jorgo Toto kanë të njëjtin numër pasaporte. Më herët, prokuroria I kërkoi partisë demokratike që ti vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin që vërteton dënimin e kajmakut në shtetin grek.

Pas mohimit të akuzave nga ana e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, Partia Demokratike vijoi sot me publikimin e  provave të reja.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, publikoi  kopjen autentike të pasaportës së Agim Kajmakut me emrin Jorgo Toto  me nr. Z 0148497  e cila sipas tij provon se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto janë i njëjti person.

Bardhi: Pavarësisht përpjekjes për të mashtruar autoritetet greke, në momentin e  arrestimit Jorgo Toto ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik  identifikimi dhe e cila është regjistruar në vendimin për arrestimin e Jorgo Totos.

Në faqen 13 të këtij vendimi, të publikuar dje, thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, është shtetasi shqiptar Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497.

Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS. Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë  të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i  arrestuar në vitin 2003 në Greqi.

Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është ekzaktësisht personi që  shikoni në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497. Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto, që ju shikoni në foto, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku.

Bardhi tha se këtë fakt e di edhe Edi Rama dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Bardhi: Kjo është një provë e pakontestueshme që organi i prokurorisë mund ta verifikojë  brenda 1 minuti, sepse ka akses të plotë në sistemin TIMS. Por “Katica” e korruptuar e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk e bën  këtë, sepse po zbaton strategjinë e Edi Ramës për të mashtruar opinionin publik.

Teksa Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar shenjat e gishtave të Kajmakut, Bardhi tha se  kjo është e paligjshme pasi ato merren në sistem.

Bardhi: Arta Marku shpëndan lajme që ajo po vepron me shpejtësi dhe i ka kërkuar subjektit nën verifikim që të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike. Kjo është e paligjshme. Sipas ligjit të dekriminalizimit, gjurmët e gishtave nuk i kërkohen personit. Ato merren në sistemin e të dhënave shtetërore biometike të shtetasve shqiptarë.

 Agim Kajmaku është i pajisur me pasaportë biometike dhe shenjat e tij të gishtave gjenden në sistem.Sipas ligjit ato i kërkohen personit që t’i depozitojë vetëm nëse nuk ndodhen në sistem. Ky nuk është rasti as i Agim Kajmakut, as i Valdrin Pjetrit, sepse që të dy janë në sistem dhe posedojnë një pasaportë biometrike.

Akti i paligjshëm i Arta Markut me kërkesën për dhënien e gjurmëve të gishtave, është një lojë e mirëmenduar kriminale, që synon të vonojë dhe të mbrojë kriminelët e pushtetshëm të Edi Ramës.

Mbi këtë fakt skandaloz dhe të paligjshëm të kryer në bashkëpunim nga Edi Rama dhe Arta Marku, Partia Demokratike ka informuar që dje, në mënyrë urgjente, të gjithë trupin diplomatik në vend.

Partia Demokratike rithekson se Edi Rama dhe “katicat” e tij të korruptuara në prokurori, mund ta pengojnë apo vonojnë nxjerrjen e rezultateve zyrtare për këtë rast, por ato nuk do të arrijnë kurrë ta fshehin të vërtetën apo të zgjasin agoninë në pushtet të Edi Ramës.

Edi Rama do të largohet me turp dhe do të hyjë në histori si Kryeministri që i la trashëgimi këtij vendi vetëm kriminalizimin e çdo zyre të shtetit dhe promovimin në politikë e administratë të një armate me kriminelë, vrasës, përdhunues, trafikantë droge e deri tek fallsifikatorë të parave.


(Foto: dokumenti i vene ne dispozicion nga PD)

Ndërkohë sot, njësia e dekriminalizimit në Prokurorinë e  Përgjithshme i ka kërkuar PD që ti vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin që vërteton implikimin e Agim Kajmakut në çështjen e falsifikimit të parave në Greqi. 

EMISIONET