PD: Po tentohet shfajësimi i Tahirit nga akuza për trafik droge

PD: Po tentohet shfajësimi i Tahirit nga akuza për trafik droge

Partia Demokratike deklaroi sot se vendimi për të ndërprerë hetimet e prokurorisë për Saimir Tahirin është pjesë e skenarit të Edi Ramës për të shfajësuar ish-Ministrin e Brendshëm nga akuza për trafik droge.

Deputeti Flamur Noka tha se në vend që Rama t’u thotë shqiptarëve t’i kërkojnë falje Saimir Tahirit, ai duhet të përgjigjet, nëse babai dhe bashkëshortja e Saimir Tahirit, kanë udhëtuar së bashku me Habilajt.

10 marsi është afati i fundit që Prokuroria e Krimeve të Rënda do të marrë një vendim për dosjen ku po hetohet ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Gjykata i dha të drejtë Tahirit, i cili e ankimoi zgjatjen dhe me tre muaj të afateve hetimore, të cilat nisën në tetor të vitit të kaluar me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.

Pas vendimit, ish-Ministri u shpreh se kësaj maratone po i vjen fundi.

Noka: Tani, Edi Rama po përdor gjykatën për të penguar vijimin e hetimeve, pikërisht në kohën kur prokurorët presin përgjigje nga Mali i Zi për aktivitetin e Saimir Tahirit dhe lidhjet e tij me grupin e Habiljave.  Kjo do të thotë se, nëse brenda 3 javëve Mali i Zi nuk kthen përgjigje, dosja mund të shkojë në gjykatë e paplotë.

Sado që drejtësia e kontrolluar nga Edi Rama ta lehtësojë Saimir Tahirin, në dosjen e tij ka faktë të rënda të përfshirjes së familjarëve më të afërt të Saimir Tahirit me grupin e Habiljave.

Vendimi i gjykatës për të penguar vijimin e plotë të hetimeve vjen pas kërcënimeve publike të pak kohëve më parë të vetë Saimir Tahirit. Me mbështetjen publike të Edi Ramës ai kërcënoi çdo polic, prokuror dhe gjyqtar që të mos guxojnë të vazhdojnë hetimin ndaj tij.

Vendimi i sotëm i Gjykatës është një tjetër goditje e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi.

Është momenti që partnerët e huaj që i premtuan popullit shqiptar drejtësi të vërtetë dhe kapjen e peshqve të mëdhenj, të mbajnë premtimin dhe të mos lejojnë që një kriminel si Saimir Tahiri të shpëtojë pa u ndëshkuar.



EMISIONET