Partia Demokratike paralajmëron prokurorinë të zbatojë ligjin dhe të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të përfaqësuesit të opozitës, Bardh Spahia.

Në një deklaratë për mediat, PD thotë se përfaqësuesi i Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës, Bardh Spahia, prej gati 48 orësh, mbahet i burgosur, pa asnjë fakt që ta implikojë atë në shkelje të ligjit.

"Ky është një rast që prokuroria të mos i nënshtrohet urdhrit politik të Edi Ramës. Çdo prokuror apo gjyqtar që, në vend të ligjit, bëhet vegël qorre e regjimit në ikje të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale për shkeljen e ligjit" thotë PD.

PD deklaron se Bardh Spahia dhe dhjetëra qytetarë në mbarë vendin janë të burgosur politik të regjimit autokratik kriminal të Edi Ramës, që përndjek kundërshtarët politikë dhe dhunon qytetarët.

Ish-deputeti, Bardh Spahia, u arrestua nga policia lidhur me përplasjen në shkollën "Shejnaze Juka", ku njërës nga klasat iu vu zjarri duke djegur materialet zgjedhore që gjendeshin brenda saj.

/Ora News.tv/