PD kthen taksën e sheshtë, Basha: Do ulim taksat, do rrisim pagat e pensionet

PD kthen taksën e sheshtë, Basha: Do ulim taksat, do rrisim pagat e

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka vijuar me turin e takimeve në rrethe ku ka prezantuar programin ekonomik. Në Lezhë ai u shpreh se kryeministri Edi Rama ka humbur kontrollin pasi shqiptarët i janë bashkuar kërkesave të opozitës.

Basha: I ka ikur truri komplet, sepse nuk po i funksionon më instrumenti me të cilin ka marrë pushtetin, shkurajimi i njerëzve. Ti bëjë njerëzit e vegjël.

Duke theksuar se nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën, Basha tha se pas ardhjes në pushtet do të merren masa emergjente për daljen sipas tij nga gjendja klinike e ekonomisë së vendit.

Masa e parë e PD do të jetë ndryshimi i sistemit të taksave.

Basha: Duke sjellë në Shqipëri modelin konkurrues të taksës së sheshtë 9%. Duke konsideruar biznes të vogël çdo aktivitet ekonomik nën 140 mln lekë të vjetra në vit dhe duke i dhënë një dhe vetëm një detyrim 0.5 % të xhiros vjetore.

Basha premtoi rritje të pensioneve dhe pagave dhe fondet sipas tij do të sigurohen nga konfiskimi i pronave të personave që i kanë përfituar përmes korrupsionit.

Basha: Për pensionin minimal 250 lekë në muaj. 

Në Tiranë në Konventën Kombëtare të LSI, Monika Kryemadhi ka ironizuar me qëndrimet e Ramës ndaj opozitës.

Kryemadhi: Edhe si doktoreshë, edhe si fallxhore e parashikoj të ardhmen e Shqipërisë të ndritur, të begatë, pa Edi Ramën kryeministër, pa qeverinë e kapur nga krimi dhe oligarkët. 

Duke theksuar edhe njëherë se opozita nuk do të hyjë në zgjedhje pa largimin e Ramës, Kryemadhi kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave.

Kryemadhi: Edhe pse ka më pak njerëz në sallë se herët e tjera, por ka snajpera që shkojnë te kutia e votimit si Vasily Zaitasev, i cili nuk çoi asgjë dëm. Sot ka këtu çdo të ri dhe të re, çdo burrë dhe grua që nuk do të ndalen në asnjë moment.

Opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë kombëtare në 11  maj, ku si Basha dhe Kryemadhi ftuan për një pjesëmarrje të gjerë.

EMISIONET