PD: QSUT kosh për ilaçet e skaduara, reagon Ministrja: Shpifje

PD: QSUT kosh për ilaçet e skaduara, reagon Ministrja: Shpifje

Partia Demokratike ka risjellë sërish në vëmendje çështjen e medikamenteve të skaduara që sipas saj ndodhen në depon farmaceutike të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Në daljen e rradhës nga selia blu, deputeti Bardh Spahia akuzoi ministren Manastirliu se i shërben kompanive private farmaceutike, të cilat duke ia dhuruar barnat në prag skadence QSUT-së, kursejnë fondet për asgjësimin e tyre.

Spahia: Pak kohë më parë, një investigim i agjencisë së lajmeve BIRN, zbuloi se 15 tonë apo 93 % e ilaçeve në farmacinë qëndrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë të skaduara. Lajmi skandaloz u kalua në heshtje nga qeveria për të mbuluar shërbimin e saj ndaj Mafias së Ilaçeve.

Që kur u emërua në detyrë 5 vjet më parë në QSUT, Ogerta Manastirliu, në mënyrë kriminale dhe në shkelje flagrante të ligjit, ka lejuar të skadojnë ilaçet që ka gjetur në depon farmaceutike të spitalit, duke blerë vazhdimisht me tendera të dyshimtë dhe duke pranuar si dhuratë barna me afat të afërt skadence, asgjesimi i të cilave ka kosto shumë të lartë.

Shqiptarët duhet ta dinë se pjesa më e madhe e malit me ilaçe të skaduara në QSUT, me etiketen “dhuratë”, janë, në fakt, një mal i madh korrupsioni për të favorizuar Mafian e Ilaçeve, klientë të pushtetit.

Në këtë rast, depoja farmaceutike e QSUT është përdorur si kosh plehrash për të pastruar depot e disa kompanive private dhe për t’u kursyer atyre qindra milionë lekë për asgjesimin e ilaçeve të skaduara.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministres Manastirliu, e cila thekson se në qarkullim nuk ka barna që e kanë kaluar afatin e skadencës.

Manastirliu:  Për herë të parë nga 2014, vendosëm që në çdo kontratë blerje barnash në QSUT, të përfshihej një klauzolë e posaçme: “Në rast mospërdorimi për arsye objektive të medikamenteve, duke sjellë si pasojë afrimin e skadencës, shoqëria furnitore, duhet të marrë masa për tërheqjen e medikamenteve dhe zëvendësimin e tyre me të njëjtin artikull, me afat më të gjatë skadence”. Ky është fakt!

Sepse për mua dhe ekipin që drejtoj siguria e qytetarëve dhe përdorimi me efikasitet i fondeve publike janë parësore. Prandaj sot, barnat në spitale janë të sigurta dhe blihen vetëm sipas nevojave, duke shmangur një herë e mirë skadencën, dhe duke garantuar që çdo bar të shkojë për kurimin e qytetarëve.

Po kështu edhe për spitalet e rretheve, nëpërmjet marrëveshjes kuadër të bërë për herë të parë në vitin 2018, ne kemi siguruar blerjen e barnave sipas sasive të kërkuara nga spitalet, duke shmangur edhe stokun edhe skadencat dhe duke mundësuar që spitalet të kenë hapësira të zgjedhin dhe të përdorin barnat, në sasitë që u nevojiten. Ky është fakt!

Ministrja sqaron se procedura e hapur për asgjësimin është për barnat e skaduara dhe të akumuluara në magazinat e QSUT prej vitit 2009.


EMISIONET