Partia Demokratike ka konsideruar  projekt mafioz dhënien me koncesion që Ministria e Energjetikës ka parashikuar të japë për pompat e karburantit dhe krijimin e një agjencie për rezervën e sigurisë për karburantin.

Ish deputetja, Izmira Ulqinaku tha se Ministrja Belinda Balluku po vë në zbatim planin për të vjedhur shqiptarët me rritjen e çmimit të karburantit me të paktën 20 lekë për litër.

Izmira Ulqinaku: "Të pangopur me vjedhjet dhe koncesionet ndaj oligarkëve qeveria ka vendosur të japë një tjetër PPP. Kësaj radhe projekti mafioz përfshin dhënien me PPP të pompave të karburantit dhe krijimin e një agjencie për rezervën e sigurisë për karburantin. Sipas të dhënave nga bizneset, pritet që produkti i naftës të shtrenjtohet minimalisht me 20 lekë për litër."

Duke iu referuar një tabele nga Gobal Oil Price, Ulqinaku tha se vërtetohet se shqiptarët paguajnë 1.4 euro për litër ndërsa Gjermania vetëm 1 cent më shumë.

Izmira Ulqinaku: "Tabela e Global Oil Price, referenca për çmimet e naftës në botë, na rëndit fill pas Gjermanisë për çmimin e naftës. Sipas saj shqiptarët paguajnë 1.45 euro/litër kurse Gjermania paguan 1.46 euro/litër."

Ndërkohë ka një vendim të gjykatës administrative që më herët ka vendosur që Ministria e Financave të ndryshojë kriteret e tenderit për koncesionin prej miliona euro, por ky urdhër nuk është zbatuar. Pak ditë më parë është shpallur fituese e koncesionit kompania e cila kishte kërkuar marrjen e këtij shërbimi, NOA Control.


/Ora News.tv/