Partia Demokratike akuzoi Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për falsifikim të pjesmarrjes së qytetarëve në votimin për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso, në një deklaratë për mediat paralajmëroi katër anëtarët e PS-së në KQZ se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për falsifikimin.

Sipas tij pjesëmarrja në votim në shkallë vendi ka qenë 15%.

Kaso: Operacioni i drejtuar nga Edi Rama për falsifikimin e pjesëmarrjes në votimet e tij njëpartiake dhe të paligjshme po vazhdon deri në fund.

KQZ i paligjshëm me katër anëtarë vetëm nga PS mashtroi shqiptarët dhe partnerët për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar gjatë gjithë ditës dhe deri në fund të farsës.

Nga monitorimi i të gjithë Qendrave të Votimit deri në mbylljen e tyre në orën 19 ka rezultuar se pjesëmarrja faktike në rang vendi është 15%.

PD paralajmëron kamikazët politike të KQZ se do të mbajnë përgjegjësi për falsifikimin që kanë kryer. Paniku i Edi Ramës nga braktisja dhe refuzimi popullor e ka shtyrë drejt manipulimit flagrant të numrit të pjesëmarrësve në këtë farsë.

As mbushja e kutive që po ndodh në këto komente dhe as manipulimi i numrit të votuesve nuk e shpëtojnë dot Edi Ramën nga ajo që e dinë të gjithë tashmë, shqiptarët e kanë refuzuar.

/Ora News.tv/