Meta troket gotën me Ramën: 2018-ta të kurorëzojë hapjen e negociatave

Me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti Ilir Meta organizoi një pritjer në Pallatin e Brigadave. Duke nënkuptuar se fjala e tij ishte një mesazh për Shqipërinë dhe Kosovën kreu i shtetit tha se do të punohet fort që në 2018 të hapen negociatat dhe të garantohet e drejta e qyetarëve të Kosovës që të lëvizin të lirshëm në BE.

Meta: Ne besojmë dhe do të punojmë që viti 2018 të kurorëzojë përpjekjen tonë për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE, si njëkohësisht të garantojë të drejtën legjitime të qytetarëve të Kosovës për të lëvizur të lirë në hapësirën Shengen si gjithë qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Përkrah kryeministrit Edi Rama, Meta pati një mesazh për përmirësimin e qeverisjes dhe për konsolidimin e demokracisë.

Meta: Këto momente kulmore të historisë së lavdishme të popullit tonë na shërbejnë për reflektime të mëdha në mobilizimin e energjive mbarë kombëtare, për ruajtjen e lirisë dhe pavarësisë, për konsolidimin e demorkacisë, forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e qeverisjes, forcimin e institucioneve, respektimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe anëtarësimin në BE. Në të njëjtën kohë ne riafirmojmë vullnetin tonë për promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon bashkëpunimin e palëkundur me aleatët në luftën kundër ekstremizmit ndërkombëtar.

Meta foli për rrezikun e madhe që mund ti vijë shqiptarëve dhe sipas tij është ndasia përçarëse mes tyre.

Meta: Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun e lidh ngushtësisht me Themeluesin e shtetit tonë të pavarur, Ismail Qemalin, kuptuan se ndasitë përçarëse mes shqiptarëve përbëjnë rrezikun e kërcënimin më të madh dhe se fuqia e vërtetë e shqiptarëve qëndron tek bashkimi i tyre. Ndonëse në kohë dhe rrethana të ndryshme tejet sfidante, këta dy burra të mëdhenj të Kombit tonë arritën që tiparet qenësore të identitetit shqiptar t’i vendosnin në piedestalin e vlerave më të larta evropiane. Në këtë kontekst Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ismail Qemali na kanë lënë mesazhin e patjetërsueshëm se identiteti kombëtar shqiptar është unik dhe njëkohësisht i pandashëm nga vlerat e qytetërimit evropian.

Në pritjen e organnizuar në Pallatin e Brigadave nuk mungoi trokitja e gotës me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa ra në sy mungesa e liderit demokrat Lulzim Basha edhe pse kishte nje ftesë nga Presidenca. Mësohet se Basha ndodhej në një aktivitet të bashkisë Shkodrës me rastin e festave.




EMISIONET