Patozi "distancohet" nga grupi për ndryshimet statutore në PD: S'e kam lexuar tekstin

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi thotë se nuk ka lidhje me një projekt për ndryshimet statutore në PD, ndërsa shton se “grupi i tij” është në një fazë shumë më të avancuar.

Reagimi i plotë i Patozit: 

Ka pasur një vërshim telefonatash dhe mesazhesh në adresën time dhe të shumë kolegëve të Lëvizjes për Ringritjen e PD, pas lajmit të një projekti për ndryshime statutore që, sipas shtypit, do t'i paraqiten Lulzim Bashës si zgjidhje për kapërcimin e krizës.

Për shkak të keqkuptimeve të krijuara, qëllimisht ose pa dashje, dhe të shumë lajmeve për këtë çështje, që shoqërohen me foton time, jam i detyruar të sqaroj se, as e kam lexuar dhe as kam lidhje fare me atë tekst.

Natyrisht, nuk e paragjykoj dot atë nismë, sepse mendoj që çdo anëtar apo grup anëtarësh të Partisë Demokratike është në të drejtën e vet që të paraqesë ide apo opinione në shërbim të forcës sonë politike, ashtu siç secili e mendon.

Përsa më takon, mund të them se ne jemi në një fazë shumë më të avancuar të aksionit tonë politik, pas shpalljes së platformës politike, e cila prej kohësh është në dispozicion të publikut dhe të forumeve të PD.

Unë nuk kam besuar për asnjë sekondë se dështimet e Lulzim Bashës erdhën për shkak të dobësive të statutit, ndaj edhe asgjë nuk mund të riparohet përmes ndryshimeve të tij.

Përkundrazi, është pranuar botërisht, edhe prej vetë kryetarit, që statuti u shkel dhe nuk kuptohet se çfarë garancie mund të kenë demokratët që edhe i riu nuk do të injorohet prapë.

Por më e rëndësishmja është se platforma jonë e kërkon ndryshimin pozitiv dhe ringritjen tani, kurse ndryshimet e mundshme statutore e shtyjnë atë pas 4 vjetësh dhe e lënë në vullnetin e Lulzim Bashës prapë, nëse do t'i kthehet zakonit të vjetër si në marrëveshjen e 18 majit apo jo.

EMISIONET