Kryetari i PD, Lulzim Basha reagoi mënjëherë pasi Eduard Halimi la mandatin e deputetit. Në një status në FB, Basha tha se ai u largua për të ndjekur pasionin e tij të avokatisë. 

Basha vlerësoi Eduard Halimin duke thënë se ai ka lënë gjurmët e veta në qeverisje por edhe në opozitë. 

Reagimi i Bashës pas largimit të Halimit nga jeta politike

Eduart Halimi vendosi sot të lërë mandatin e deputetit, të tërhiqet nga politika aktive për të ndjekur pasionin e tij, avokatinë. Dëshira ime për ta patur pjesë të ekipit, të grupit parlamentar të PD ishte e madhe, por po kështu edhe respekti për lirinë e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij.

Si një bashkëpunëtor i shkëlqyer, një jurist i mprehtë, Ed Halimi po largohet nga politika aktive pasi ka lënë gjurmët e veta në qeverisje me suksese të padiskutueshme në Ministrinë e Drejtësisë, dhe në opozitë po ashtu me ekspertizë të çmuar në të gjitha betejat tona për ligjshmëri, kushtetueshmëri, për luftë ndaj krimit e korrupsionit dhe përpjekjeve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Shpreh falenderimet dhe mirënjohjen nga zemra për kontributin e tij të çmuar, dhe bashkë me urimet e mija më të mira, edhe bindjen se me projektet e reja që ka, ai do të vazhdojë ti shërbejë ligjit dhe vendit.

/Ora News.tv/