Pas më shumë se tre muajsh pritjeje për të marrë një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbi bazën ligjore mbi të cilën ka dalë urdhri nr.47 për pezullimin e punës në të gjitha HEC-et në vend, është dashur denoncimi i "BOOM" pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, që ky institucion të kthejë një përgjigje për "BOOM".


Edhe pse përgjigja përmban referencat ligjore, asaj i mungon firma dhe vula e institucionit, duke shmangur kështu hapur përgjegjësinë në lidhje me përmbajtjen e dokumentit.

"BOOM" u ndal në bazën ligjore të cituar nga ministria, ku edhe njëherë konstatoi paligjshmërinë e këtij urdhri. Nga kjo përgjigje vërehet se juristët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk njohin ndryshimet ligjore, ose i keqpërdorin qëllimisht ato.

Në përgjigjen e Ministrisë, një nga referencat ligjore është dhe ajo e nenit 7 të kodit të procedurave administrative, ku thuhet:

"Me pushtet diskrecial të administratës publike do të kuptohet e drejta e kësaj të fundit që të ushtrojë autoritet publik për realizimin e një qëllimi të ligjshëm, qoftë edhe pa autorizim të shprehur të ligjit".

Në këtë pikë Ministria ka përdorur një dispozitë të gabuar, pasi kodi i procedurës administrative ka ndryshuar në vitin 2015 dhe ligji nuk ka fuqi prapavepruese.

Nëse do ti referoheshim nenit 7 të kodit të ri ai parashikon parimin e mbrojtjes së sekretit shtetëror, por në këtë rast nuk kemi të bëjmë me sekret shtetëror.

Hezitimi prej më shumë se tre muajsh i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të kthyer përgjigje në lidhje me bazën ligjore mbi të cilën ka nxjerrë urdhrin numër 47 si dhe përdorimi i dispozitave të gabuara për të mbështetur nxjerrjen e tij, tregon edhe njëherë se ky urdhër është arbitrar dhe i pabazuar në ligj.

/Ora News.tv/