Pas sulmit ndaj Skripal, BE vendos tërheqjen e ambasadorit në Moskë

Pas sulmit ndaj Skripal, BE vendos tërheqjen e ambasadorit në

Duke fajësuar Rusinë për sulmin kimik ndaj një ish-spiuni rus në Britani, Bashkimi Europian ka vendosur tërheqjen e ambasadorit të unionit nga Moska. Shtete të ndryshme anëtare të BE gjithashtu po konsiderojnë përjashtimin e diplomatëve rusë nga vendet e tyre si përgjigje ndaj kësaj ngjarjeje.

Në shenjë solidariteti me Mbretërinë e Bashkuar, edhe Bashkimi Europian ka tërhequr ambasadorin përfaqësues të unionit në Moskë. Përmes një deklarate të përbashkët, Këshilli Europian shprehu bindjen se Rusia fshihet pas sulmit kimik ndaj ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britani dhe se për këtë “nuk ka një shpjegim alternativ të besueshëm”. “Këshilli dënon me forcë sulmin, shpreh solidaritetin me të gjithë personat, jetët e të cilëve janë kërcënuar dhe garanton mbështetjen për hetimin në vijim,” shprehen liderët europianë.

Kryeministrja britanike Theresa May urdhëroi përjashtimin e 23 diplomatëve rusë në përgjigje të sulmit të 4 marsit ndaj Skripal dhe të bijës, Yulia. Lëvizja çoi në reagimin e njëjtë të Moskës, që vendosi përjashtimin e diplomatëve britanikë nga vendi. Për më tepër, Rusia mohoi përfshirjen në sulmin që ka krijuar një tjetër krizë madhore në marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Perëndimit dhe Moskës.

Edhe shtete të tjera anëtare të Bashkimit Europian po konsiderojnë mundësinë e përjashtimit të diplomatëve rusë nga vendet e tyre, gjë që shënon një fitore për kryeministren May, e cila merr mbështetje në shkallë të gjerë ndërkohë që vendi i saj negocion daljen nga unioni. Sidoqoftë, nuk kanë munguar as zërat kundërshtues si ai i kryeministrit grek Alexis Tsipras, apo i Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, të cilët kanë kërkuar hetim të ngjarjes dhe ruajtje të komunikimit me Rusinë.

EMISIONET