I kërkuan dorëheqjen, Gentian Sala: Bordi i AMA-s nuk ka kontestuar afatin e fikjes së sinjaleve analoge

I kërkuan dorëheqjen, Gentian Sala: Bordi i AMA-s nuk ka kontestuar

Kreu i Autoritetit të Medias Audiovizive, Gentian Sala, ka reaguar pas kërkesës së katër anëtarëve të Bordit për dorëheqjen e tij.

Në një deklaratë për mediat, ai thotë se angazhimi në procesin e digjitalizimit për qarqet e Tiranës dhe Durrësit ka qenë dhe është i bazuar në Strategjinë Kombëtare të miratuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2012, gjithashtu bazuar në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas Salaj, edhe në këtë rast ka qenë e njëjta performancë nga AMA, si në tre rastet e kalimit nga analogu në numerik të zbatuara hap pas hapi, fillimisht në qarkun e Beratit, e duke vijuar më pas në atë të Korçës dhe të Fierit.

Sala:"Prej më shumë se një viti kur nisëm të angazhohemi me të tre qarqet dhe deri sa e finalizuam me sukses procesin në to, sigurisht që kemi hasur dhe vështirësi dhe të papritura, por gjithçka është tejkaluar".

Kreu i AMA-s thotë se askush nga kolegët në Bord, përfshirë dhe ata të qëndrimit të sotëm mediatik, në asnjë rast nuk kanë përmendur ndonjë kontestim mbi procedimin, për shpalljen e afatit për fikjen e sinjaleve analoge brenda territorit të qarkut, për renditjen e kanaleve në platforma etj.

Salaj: Në rastin e fundit të zbatimit të kalimit nga analogu në numerik për qarqet e Tiranës dhe Durrësit, me një popullsi dhe territor disafish më shumë u shfaqën problematika, kryesisht nga mospajisja në kohë e qytetarëve me dekodera. Ndaj dhe u vlerësua shtyrja 4 mujore e procesit, si një zgjidhje tranzitore që u jepte kohë qytetarëve që nuk mundën të pajisen me dekoder brenda afatit. Për të qenë të sigurtë, që ashtu sikundër nuk u la asnjë operator audioviziv jashtë këtij procesi, të mos mbetej pa marrë shërbim përmes teknologjisë numerike dhe asnjë qytetar.

Nisur nga zhvillimet e fundit, Gentian Sala thotë se  AMA angazhohet që të intensifikojë edhe më shumë fushatën e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për ta bërë atë sa më kapilare në dobi dhe interes të publikut.

Çfarë duhet të dini për dixhitalizimin

Duke marrë në konsideratë dhe interesimin e lartë të qytetarëve në këto ditët e fundit, mbi ecurinë e procesit të kalimit nga transmetimi analog në atë digjital, sidomos për pajisjen me dekodera, Salaj përmend disa aspekte me qëllim sqarimin e tyre.

-Sa i takon aplikimit të teknologjisë DVB-T2, ju bëjmë me dije se vendimi për këtë nuk është i tanishëm, por që në momentin e miratimit të Strategjisë Kombëtare për Digjitalizimin në vitin 2012, gjithashtu sanksionuar edhe në Ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

-Askush nuk mund të konsiderojë si të pavlefshëm televizorin e tij, pavarësisht viti i prodhimit apo marka, pasi me vënien në përdorim të dekoderit, çdo televizor bëhet i përdorshëm me teknologjinë e re.

-Kompanitë e mëdha tregtare që shesin dekodera për popullatën janë të pakten tetë, pa përfshirë këtu njësi të tjera më të vogla që u ofrojnë qytetarëve zgjedhje të ndryshme.

Sa i takon parametrave teknike dhe teknologjikë të dekoderave, ato janë përcaktuar në mënyrë rigoroze me vendim të Bordit të AMA-s dhe të Këshillit të Ministrave, dhe të zbatueshme nga autoritetet doganore shqiptare.

-AMA po bën verifikimin e zbatimit të kërkesave për listimin e kanaleve në dekodera, në përputhje me vendimet e saj, dhe së shpejti do të bëjë publike rezultatet.

-Fushata për informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për procesin e digjitalizimit, zhvillohet prej rreth dy viteve, duke u konsideruar fushata me kohëzgjatje më të madhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

-Janë realizuar rreth 300 emisione me pjesëmarrjen e specialistëve të AMA-s, por dhe ekspertëve të fushës, shoqëruar me transmetimin periodik të spoteve të dedikuara për fushatën e ndërgjegjësimit dhe informimit në mediat klasike dhe ato të reja.

-Janë shpërndarë 88 mijë dekodera për familjet që janë pjesë e skemave të ndihmës ekonomike nga buxheti i shtetit.

Angazhimi i AMA-s dhe shtetit shqiptar në procesin  e dixhitalizimit

Në mënyrë të përmbledhur, angazhimi i AMA-s dhe shtetit shqiptar në këtë proces sipas Salaj, është:

-AMA është investuar maksimalisht për uljen e ndjeshme të tarifës së mbartjes së televizioneve lokale në numerik, nga 5760 euro/muaj që ishte projektuar fillimisht në rreth 2150 euro/muaj.

-Kostot e transmetimeve numerike të operatorëve lokale do të mbulohen nga shteti gjatë vitit të parë. Me anë të të ardhurave që do të sigurohen nga akordimi i brezit të Dividendit Digjital, në teknologjinë mobile.

-Sot nuk ka asnjë subjekt audioviziv që të transmetojë pa licencë, në një kohë që para datës 10 shtator, 2018, për qarqet e Tiranës dhe Durrësit ky fenomen ka qenë shumë shqetësues, ku operohej në mënyrë të paligjshme në 11 frekuenca.


EMISIONET