Muaji nëntor është shpallur muaji i kulturës shqiptare në qytetin e Parmës në Itali.

Shoqata "Scdanderbeg" e emigrantëve shqiptarë të këtij qyteti, në bashkëpunim me Bashkinë e Parmës ka organizuar një program të ngjeshur eventesh kulturore e artistike që do të kulmojnë në 28 Nëntor në Festën Kombëtare të Flamurit.

Kurse të mësimit të gjuhës shqipe, ekspozita fotografike, një spektakël kulturor, seminare letrare e shkencore do të pasurojnë përgjatë këtij muaji,  jetën artisitke e kulturore të qytetit të Parmës duke bashkuar në një atmosferë festive banorët e tij me komunitetin e emigrantëve shqiptarë.

Për mediat lokale këshilltarja e bashkisë së Parmës znj.Nicoleta Paci, shprehet se "muaji i kulturës shqiptare festohet prej disa vitesh në qytetin e Parmës nën sponsorizimin e bashkisë së qytetit. Jemi të vetëdijshëm, thotë ajo që iniciativa të tilla inkurajojnë perspektivën e një qyteti me mundësi gjithnjë e më shumë integruese e gjithëpërfshirëse:"

Ndërsa kryetari i shoqatës Scanderbeg, z. Bajram Hila shprehet se "kjo iniciativë ka hyrë tashmë në kalendarin e manifestimeve të këtij qyteti. Ai shton se kjo shoqatë që mban emrin e heroit tonë kombëtar është aktive  gjatë gjithë vitit e punon si një urë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe asaj italiane.

Me mjaft interes pritet ekspozita me fotografitë e së përditshmes "Gazeta di Parma" e cila gjatë vitti 1912 ka përcjellë në faqet e saj informacione mbi shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar.

/Ora News.tv/