Parlamenti britanik pezulloi të martën zyrtarisht punimet për 5 javët e ardhshme, duke mos u dhënë deputetëve mundësinë të debatojnë mbi Brexit. Kuvendi gjithashtu refuzoi propozimin e qeverisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Parlamentarët britanikë i kanë dhënë një tjetër goditje kryeministrit Boris Xhonson, duke mos e mbështetur në propozimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 15 tetor.

Nisma e qeverisë u refuzua nga 293 deputetë dhe mori vetëm 46 vota në favor.

Sikurse ishte paralajmëruar, opozita e kushtëzoi votimin me një ligj për shmangien e daljes së vendit pa kompromis nga Bashkimi Europian më 31 tetor.

"Zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për të tejkaluar ngërçin në parlament, për t'i shërbyer interesave të vendit, dhe për t'i dhënë kujtdo kryeministri një mandat të fortë negociues në Këshillit Europian muajin e ardhshëm," u shpreh shefi i qeverisë, duke i kritikuar opozitarët se i druheshin zgjedhjeve sepse do të dilnin humbës në to.

Punimet e Kuvendit u pezulluan të martën zyrtarisht deri më datën 14 tetor.

Tri ditë më vonë Xhonson do të takohet me 27 homologët europianë në Bruksel, në përpjekjen e fundit për të rinegocuar marrëveshjen Brexit dhe posaçërisht të ardhmen e kufijve me Irlandën.

Kreu i ekzekutivit ka deklaruar se vendi do të dalë nga unioni europian më 31 tetor pavarësisht rezultatit të bisedimeve.

Me anë të një dekreti mbretëror të lëshuar të hënën, data e Brexit mund të shtyhet për herë të tretë deri më 31 janar 2020, në varësi të aprovimit ose mosaprovimit nga parlamenti pas samitit në Bruksel.

/Ora News.tv/