Papa Françesku urdhëron klerin të raportojë abuzimet seksuale në kisha

Papa Françesku urdhëron klerin të raportojë abuzimet

Papa Françesku e ka bërë të detyrueshme që kleri katolik të raportojë rastet e abuzimeve seksuale në Kisha.

Në një letër apostolike, që do bëhet ligj i Kishës, Papa bëri të qartë se çdo përparim seksual që përfshin përdorimin e pushtetit do të konsiderohet abuzim.

Ky është një mesazh për hierarkinë e Kishës që askush nuk do të përjashtohet nga vëzhgimi.

Papa premtoi në shkurt se do marrë masa konkrete për të luftuar abuzimin seksual në Kisha.

Letra e re Apostolike bën të qartë se klerikët duhet gjithashtu të ndjekin ligjin e shtetit dhe të përmbushin detyrimet e tyre për të raportuar çdo abuzim tek "autoritetet kompetente civile".

Dekreti i Papës ka për qëllim të ndryshojë mënyrën se si Kisha heton rastet e abuzimit.

Për herë të parë, klerikët dhe zyrtarët e tjerë të Kishës do të jenë të detyruar të tregojnë çdo akuzë që mund të kenë dëgjuar. 

Më parë, kjo ishte lënë në zgjedhjen e secilit individ.

Raportimet pritet të bëhen brenda 90 ditëve në zyrat në dioqezat e Kishës. Dekreti gjithashtu përcakton mbulimin e abuzimit si një kategori specifike.

Udhëheqësit e lartë të Kishës, peshkopët e saj, janë përfshirë në mënyrë specifike në këtë dekret. Kjo për shkak se në shumë raste të dokumentuara peshkopët kanë mbuluar krimet e priftërinjve që u janë raportuar atyre.

Por dekreti nuk ndryshon ndëshkimet për krimet e kryera.

EMISIONET