Pandi Mele është një nga shumë artistët shqiptarë që studioi në Bashkimin Sovjektik që me kthimin në Shqipëri iu nënshtrua rregullave të një arti shtypës.

Si u bë Pandi Mele një nga grafistët më të shquar shqiptarë nën komunizëm? Ekspozita "Një jetë me grafikën" që qëndron hapur deri më 10 shkurt në Galerinë e Universitetit të Arteve, shfaq rrugëtimin e artistit prej viteve 50 deri në fund të jetës, në vitin 2016.

Ekspozita është përgatitur me koleksionin e familjes Mele po edhe të një prej ish-studentëve të grafistit, Petraq Papa.

Mele ka eksploruar pothuaj të gjitha teknikat dhe zhanret e grafikës: litografinë, karbonin, kolazhin, po edhe akuarelin, mjaft prej të cilave ekspozohen për herë të parë për publikun.

Pllakati dhe gjuha e drunjtë politike zënë vend të konsiderueshëm në krijimtarinë e Meles, si përmbushje detyre ndaj artit zyrtar.

Me sa duket letërsia ku ai shpesh ka kërkuar tema për grafikat e tij, ka qenë një mënyrë për t'i ikur asaj trysnie.

Ai iu rikthye në fund të jetës ciklit migjenian, po edhe poezisë së Kajamit si një dëshirë e vonuar e vetë grafikës së tij për t'u hapur ndaj jetës.



/Ora News.tv/