Bashkë me turistët e shumtë që kanë zgjedhur sivjet të pushojnë në Ulqin, kjo qytezë bregdetare ashtu siç ka bërë për 17 vitet e shkuara, edhe sivjet çeli dyert për të mirëpritur panairin e 18 të librit.

Ky bashkim i trojeve shqiptare tregon edhe njëherë tjetër fuqinë që ka kultura. 45 shtëpi botuese dhe shkrimtarë të njohur i janë bashkuar kësaj veprimtarie që vjen nën kujdesin e institutit të librit dhe promocionit së bashku me komunën e Ulqinit dhe autoritet e tjera shtetërore Malazeze.

Në stendat e vendosura përgjatë shëtitores pushuesit kanë mundësi të njihen me titujt e rinj, por edhe të bëhen pjesë e bashkëbisedimeve me shkrimtare e përkthyes të njohur të këtyre trevave.

Hapja zyrtare bashkoj politikanë e shkrimtarë nga Shqipëria e Mali i Zi, që vlerësuan këtë panair si një urë bashkëpunimi që mundëson ecjen përpara drejt rrugës europiane të vendeve tona.

Aleksander Bogdanovic, ministër i Kulturës në Mal të Zi: Prej 18 vitesh Panairi i Librit ne Ulqin bashkon botuesit, shkrimtaret dhe lexuesit e shumte duke sjelle nje dimension te ri te lidhjeve dhe bashkëpunimit. Ky është një lloj i vazhdimësisë se gërshetimeve kulturore te cilat ne këto bregdete kane vendosur dëshmi qe nuk mund te hidhen poshtë mbi takimin frytdhënës te diversiteteve kulturore, per cfare njihen edhe sot Ulqini dhe Mali i Zi. Mbi këtë bazë është vendosur edhe ky Panair i Librit, i cili mund te shërbejë si model për forcimin e marrëdhënieve midis fqinjëve përvojat historike te te cilëve i kane shënuar sfidat e ngjashme. Ne kohen e digjitalizimit, kohën në të cilën jetojmë, gjithnjë e me tepër shtrohet pyetja mbi fatin e librit. Megjithatë, këto panaire e hedhin poshtë ketë pesimizëm sepse te dhënat mbi numrin e vizitoreve dhe ekspozuesve tregojnë se libri paraqet akoma median kulturore me te rëndësishme ne shoqërinë tone.

Organizatorja Irena Toçi dhe shkrimtari Namik Dokle vlerësuan pjesëmarrjen në rritje por edhe risitë që sjell çdo vit ky takim kulturor.

Irena Toçi, organizatore: Në 18 vite resht, ky panair ka pritur botues nga i gjithë rajoni. Si vjet në këtë panair marrin pjesë 45 botues nga i gjithë rajoni.

Namik Dokle, shkrimtar: Libri dhe kultura janë elementë që nuk njohin kufij dhe doganë por shkojnë midis popujve për t'i miqësuar. Ky edicion jep një mesazh shumë të rëndësishëm të miqësisë dhe bashkëpunimit.

Vetë përfaqësuesit e shtëpive botuese në Mal të Zi, e quajnë panairin si dritaren e vetme ku ata kanë mundësi të promovohen dhe përçojnë mesazhin e pendës shqipe.

Deri me 8 gusht në Ulqin miqtë e librit do të mund të shijojnë takimet e veçanta të programuara me shkrimtarë, përkthyes dhe përfaqësues të shtëpive botuese që bashkë ndajnë zhvillimet kulturore së bashku.

/Ora News.tv/