Ministri i mbrojtjes së Pakistanit, Khurram Dastgir Khan, ka reaguar përmes twitterit ndaj akuzave të rënda të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se Pakistani strehon terroristët. 

Khan nënvizoi në postimin e tij se Pakistani, si një vend aleat antiterror u ka dhënë SHBA-ve, komunikim ajror, baza ushtarake dhe bashkëpunim në inteligjencë, për të  shkatërruar al-Kaedën në 16 vitet e fundit, por Shtetet e Bashkuara nuk na kanë dhënë asgjë tjetër përveç fyerjeve dhe mosbesimit, ka shkruar zyrtari i lartë pakistanez.

 Ndërkohë ministri i jashtëm i Pakistanit, Khawaja Mohammad Asif, tha për mediat vendase se Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë vetë përgjegjësinë për dështimet në Afganistan. “SHBA janë të inatosura për shkak të dështimit në Afganistan, deklaroi Asif dhe nënvizoi më tej se në vend të përdorimit të forcës ushtarake në Afganistan, Amerika duhet ti drejtohet dialogut.  

Më herët në postimin e tij të parë në twitter për 2018 Presidenti Donald Trump akuzoi Pakistanin për mashtrim ndaj SHBA, ndërkohë që Pakistani ka përfituar miliarda dollarë nga fondet amerikane. 

Në ditë më parë Trump kërcënoi se do të ndalte ndihmat e SHBA për Pakistanin. 

Në postimin e tij të parë të vitit, presidenti amerikan pretendon se Pakistani ështe shndërruar në një strehë të sigurtë për terroristët, të cilët SHBA po i luftonin në Afganistan. 

 Ndërkohë nga ana tjetër Pakistani ka ftuar ambasadorin amerikan në Islamabad, pas akuzave të rënda të Trump. Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Islamabad konfirmoi ftesën e ambasadorit, Davd Hale në Pakistan, i cili do të zhvillojë takime me zyrtarët e lartë

/Ora News.tv/