Komisioni i Ekonomisë ka miratuar nen për nen paketën fiskale për vitin e ardhshëm, ku është parashikuar vendosja e takës së banesës sipas vlerës së objektit, pavarësisht zonës ku është ndërtuar. Nga kjo tarifë do të përjashtohen 90 mijë familje ku përfshihen kryefamiljarët pensionistë, personat me ndihmë ekonomike, invalidët dhe personat me aftësi të kufizuar.

Blerina Gjylameti: Të ndërtesave të banimit të kryefamiljarëve që kanë pension pleqërie ose pension social, me banim në fshat ose qytet ku familja përbëhet vetëm nga pensionistët.-Ndërtesat e personave të verbër që nuk kanë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar –Ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve të personave parapplegjikë dhe tetraplegjikë që nuk kanë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.

Komisioni u përfshi nga debatet në lidhje përcaktimin e vlerës së banesave në bazë të së cilës do të mblidhet kjo taksë. Kreu i komisionit Erjon Braçe tha se vendosja e taksës mbi vlerën e tregut mund të sjellë abuzime. Ndërkohë që u zyrtarizua se do të mblidhet nëpërmjet OSHEE.

Braçe: Mund të ketë lajthitje sepse dikush në pallatin tim për të pastruar para do që ta rrisë çmimin nga 1 mijë në 1800 dhe ky është transaksion tregu. 

Komisioni miratoi gjithashtu edhe një ndryshim të sjellë nga qeveria i cili rrit taksën për objektet me veprimtari ekonomike nga 0.15 që ishte propozimi fillestar në 0.2% pavarësisht kërkesës për përjashtimin e fasonëve.

Braçe: Shkalla e taksës me propozimin e bërë nga zoti ministër këtu për të çuar në 0.2 për qind për ndërtesën që përdoret për veprimtari ekonomike. 

Në komision u dëgjuan edhe grupet e interesit. Kreu i dhomës së tregtisë kërkoi të mos taksohet shtëpia e parë si dhe të mos ulet pragu për përfshirjen e biznesit në TVSH. Një tjetër kërkesë ishte edhe tatim 0 për pagat deri në 35 mijë lekë

Jaka: Kemi menduar edhe një përshkallëzim për pagat në nivelin deri 35 mijë lekë të jetë zero.

Ndërkohë përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë i kërkuan qeverisë të mbajë premtimin dhe të ulë tatimin për pagat e larta.

Dhoma Amerikane: Ata kërkuan të mbani premtimin për 18%, taksën maksimale të tatimit mbi pagën dhe 6% të tatimit mbi dividentin. Është lutje. Ju lutemi!

Paketa u miratua vetëm me votat e maxhorancës ndërsa nuk u pranua asnjë nga propozimet e LSI. Pas miratimit nen për nen në komisionin e ekonomisë paketa fiskale për vitin e ardhshëm pritet të votohet në parlament.

/Ora News.tv/