Pagesë papunësie për naftëtarët, skema e qeverisë për të zgjidhur krizën në ARMO

Pagesë papunësie për naftëtarët, skema e qeverisë

Pagesa e papunësisë për naftëtarët e uzinave të ARMO-s në Fier e Ballsh po diskutohet nga ekzekutivi si një zgjidhje emergjente për krizën e re që ka përfshirë sektorin. Skemën e re e zbuloi prefekti i Fierit, Baki Bala, pas valës së protestave që kanë nisur naftëtarët e dy uzinave.

Qeveria po diskuton mundësinë për tu lidhur pagesë papunësie naftëtarëve të uzinave të ARMO-s në Fier e Ballsh të cilët prej tre muajsh kanë mbetur të papunë, pas largimit të kompanisë IRTC.

Prefekti Baki Bala flet për një plan të ekzekutivit për zgjidhje afatgjatë, jo vetëm për punëtorët por edhe për uzinat e cilësuara pasuri kombëtare.

Baki Bala: Qeveria shqiptare është duke punuar për pagesë papunësie për ta, si zgjidhja më e shpejtë me qëllim marrjen e masave për qëndrueshmërinë dhe zgjidhje më afatgjata.

Naftëtarët e dy uzinave kanë nisur një valë protestash dhe kërcënojnë se do të marshojnë sërish drejt Tiranës për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës.

Protestuesi: Ne do të mblidhemi prapë me punëtorët dhe do të vendosim nesër, pasnesër, me sindikatë, pa sindikatë drejt Tiranës.

Në pritje të alternativave të qeverisë, naftëtarët e shtynë edhe një herë përshkallëzimin e protestës, por me paralajmërimin se nuk do të ndalen në kërkesat për rinisjen e punës dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

EMISIONET