Trajneri i Kukësit Peter Pacult në prag të takimit që kampionët kanë me Kamzën u shpreh optimist për këtë përballje edhe pse vlerësoi kundërshtarin. Në fjalën e tij tekniku austriak shtoi se skuadra do të tentoj vetëm fitoren me qëllim arritjen e objektivave.

"Ndeshja me Kamzën është shumë e vështirë pasi është një skuadër që ka bërë shumë mirë dhe është vetëm 3 pikë pas nesh. Besoj se në këtë ndeshje do të arrijmë fitoren e parë përballë tifozëve tanë, atë fitore që e tentuan dhe ndaj Flamurtarit po për disa arsye nuk ia arritëm. Edhe pse kundërshtarët luajnë në një mënyrë kompakte, unë besoj tek fitorja."

Përtej takimit të së shtunës ku Kukësit i duhen vetëm 3 pikë për të vijuar rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit kampion, një vështrim verilindorët do ta kenë në Korçë, aty ku Skënderbeu pret Flamurtarin. Por nuk ka të njëjtin mendim tekniku 58 vjeçar i cili theksoi se përqendrohet vetëm tek takimi me Kamzën.

"Të them të drejtën nuk më intereson shumë sfida mes Skënderbeut dhe Flamurtarit por duhet të përqendrohemi tek ndeshjet tona dhe jo çfarë bëjnë skuadrat e tjera. Tani çdo ndeshje dhe çdo tre pikë është i rëndësishëm."

I pyetur rreth emergjencës së dëmtimeve në repartin e mbrojtjes Pacult tha se Ylli Shameti do të jetë gati për duelin ndaj kryeqytetasve,ndërsa qendërmbrojtësi Albi Alla nuk do të jetë gati, pasi vijon të vuaj dëmtimin në gju.

"Pas dëmtimit në ndeshjen e kaluar Shameti është stërvitur gjatë gjithë kësaj jave dhe është në gjendje për të luajtur me Kamzën.  Alla në anën tjetër vazhdon të vuaj problemin me gjurin megjithatë shpresojmë që të jetë gati në ndeshjen e radhës."

Kukësi do të pres Kamzën për javën e 19-të të Superligës në stadiumin "Zeqir Ymeri". Aktualisht blutë pozicionohen në vendin e tretë me 29 pikë, tre më shumë se Kamza e vendit të 6-të.



/Ora News.tv/