Në aeroportin e Rinasit do të vendosen masa të reja sigurie pasi konsulenti ndërkombëtar të paraqesë një raport mbi risqet.

Puna për evidentimin e të metave ka nisur prej disa javësh dhe u kërkua pas supergrabitjes së parave në avion.

Drejtori i Aviacionit civil gjatë raportimit në komisionin parlamentar të veprimtarisë prodhuese deklaroi se tashmë për gjithçka do të vendosë ky auditim.

Krislen Keri, Drejtor i Aviacionit Civil: Qeveria prej kohësh ka qenë në ndjekje të këtyre problematikave në disa aspekte. Në aspektin operacional, në aspektin e sigurisë dhe në aspektin tregtar. Të treja këto çështje janë subjekt i punës së konsulentit ligjor ndërkombëtar, të kontraktuar nga qeveria para disa javësh në lidhje me analizimin dhe rekomandimin e qeverisë për hapa të mëtejshëm. 

Deputetët ngritën si shqetësim edhe çmimin e lartë të biletave në aeroportin 'Nënë Tereza'.

Krislen Keri, Drejtor i Aviacionit Civil: Në mënyrë të drejtpërdrejtë qeveria nuk mund të ndikojë tek tarifat në aeroportin e Tiranës për shkak të kontratës së koncesionit që ata kanë, prandaj dhe ka qenë pjesë e strategjisë liberalizimi i tregut të ofrimit të shërbimit të aeroportit ndërkombëtare në vend. Kjo strategji ka filluar që prej heqjes se ekskluzivitit të aeroportit ndërkombëtar. 

Komisioni i Veprimtarive e miratoi një marrëveshje e cila parashikon bashkëpunim me Arabinë Saudite në fushën e Aviacionit.

/Ora News.tv/