Në malet e Teksasit kanë filluar gërmimet për të vendosur një orë gjigante, 60 metra të lartë, që do të masë vitet sikurse orat normale regjistrojnë sekondat, shkruan gazeta e njohur franceze “Le Figaro”.

Kjo është ora 10 000-vjeçare, që është projektuar të jetojë për 500 breza.

Ky projekt faraonik, nuk është një delir fantastiko-shkencor.

Më shumë se 25 vite pas fillimit të tij, në vitin 1986, ndërtimi i kësaj ore që mendohet të funksionojë për 10 000 vite, ka filluar plotësisht.

Fondacioni “The Long Now”, në origjinën e kësaj iniciative, njoftoi javën e kaluar se ka filluar gërmimet në një zonë të izoluar në perëndim të Teksasit. Por, do të duhen ende shumë vite për ta përfunduar, megjithatë është një hap shumë i rëndësishëm që sapo është kryer.

Informaticieni kalifornian, në origjinë të kësaj sipërmarrjeje pak ”të çmendur”, Danny Hills, kishte realizuar me ekipin e tij një prototip që u publikua më 31 dhjetor 1999 dhe që sot ekspozohet në Muzeun e Shkencave në Londër. Por, kjo orë është vetëm tre metra e lartë dhe projketi përfundimtar do të jetë 20 herë sa prototipi.

Për të arritur këtë qëllim, Danny Hills prej gjashtë vitesh ka marrë mbështetjen financiare të drejtorit të “Amazon”, Jeff Bezos.

Materiale të qëndrueshme, por jo të çmuara

Përveç problemeve financiare, si mund të ndërtohet një orë që të funksionojë për mijëra vite?

Teknikisht, nevojiten materiale shumë të qëndrueshme, por jo të çmuara për të mos tërhequr vjedhje të mundshme. Pritet të përdoret një përzierje me pjesë të përbëra nga guri dhe çelik i paoksidueshëm. Mekanizmi do të jetë shumë i ngadaltë dhe për pasojë shumë ingranazhe do të qëndrojnë në kontakt me njëra-tjetrën pa lëvizur për dhjetëra vite.

Fletë prej qeramike do të përdoren në këto vende për të evituar një shkrirje të ingranazheve të ndryshme. Madhësia e kësaj ore do t’i mundësojë që të kalojë shekujt, ashtu si piramidat apo statujat në Ishullin e Pashkëve.

Për të evituar çdo lloj çakordimi me kohën astronomike, ora do të rregullohet automatikisht çdo ditë duke përdorur diellin si pikë referimi. Për këtë qëllim është imagjinuar një sistem kompleks lentesh të bashkuara me ingranazhet e tjera.

Pjesa e brendshme përbëhet nga pesë dhoma, që përkojnë me pesë intervale të kohës (një vit, një dekadë, një shekull, një mijëvjeçar, 10 mijëvjeçarë). Madje, çdo vit, një riprodhim i planeteve dhe sondave ndërplanetare, të dërguara nga njeriu, do të jetë e mundur të shfaqet ndpërmjet një mekanizmi që duhet të aktivizohet.

Në përgjithësi, e gjithë struktura është ideuar për të qenë e aksesueshme dhe e dukshme. Kalimi i vizitorëve do të mundësojë gjithashtu, në rastin më të keq, që të riparohen mosfunksionime të mundshme.

Një trashëgimi që kalon nga një brez në tjetrin

Kjo orë duhet të funksionojë gjithashtu në mënyrë krejt autonome. Diferenca termike ditë-natë në Teksas (që është prej disa gradësh) mendohet që t’i mundësojë gurit të ngrihet çdo ditë nëpërmjet një loje fantastike të shufrave metalike që bymehen nga nxehtësia.

Por, cili është kuptimi në vetvete i gjithë këtij projekti?

“Nuk mund ta imagjinoj të ardhmen, por ndihem i prekur”, shkruante Danny Hills në një tekst të publikuar në vitin 1995.

Çdo kalim para kësaj ore duhet t’i shërbejë vizitorit për të reflektuar në terma afatgjatë dhe për përgjegjësinë që ai ka kundrejt pasardhësve të tij. Do t’u takojë brezave të ardhshëm të kujdesen për këtë mekanizëm, nëse munden, që të vazhdojnë këtë trashëgimi. /ATA/

/Ora News.tv/