Ndërtimi i shkollave përmes kontratave me PPP nuk duhet të ndodhë në një kohë që qytetarët paguajnë taksë për infrastrukturën shkollore në kryqytet ku parashikohen këto projekte.

Ky ka qenë qëndrimi i nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, ku po diskutoheshin koncesionet për vitin e ardhshëm.

Tabaku: Për herë të parë buxheti i arsimit dhe këtu them për herë të parë në 27 vite meqë ju keni qejf ta përdorim këtë term, fillon dhe merret edhe me koncesione. Projekti i koncesioneve në shkollat e Tiranës me projektin e PPP, megjithëse qytetarët e Tiranës paguajnë një taksë të posaçme për investimet në infrastrukturë për arsimin. Këtë vit kanë filluar shkollat e para në Tiranë, unë doja pak informacion sesa do të vazhdojë ky projekt, është qëllimi i qeverisë për ta vazhduar këtë strategji edhe me shkollat e tjera?

Por për Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, kjo është një zgjidhje shumë pozitive për të ofruar më shumë ambjente moderne për nxënësit.

Nikolla: Duke mundësuar që shërbimi në një kohë të shkurtër të ofrohet për nxënësit. Kjo është ajo që ne shikojmë në bashkëpunimin tonë me bashkinë e Tiranës. Sa i përket shtrirjes në bashkitë e tjera, kjo mbetet tagër i projekteve konkrete që do të vinë nga pushteti vendor.

Gjatë raportimit në këtë Komision, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, propozoi ndërhyrje sërish në ligjin e arsimit të lartë për të vendosur një mesatare më të lartë për të gjithë ata që duan të vazhdojnë në programe mësuesie.


/Ora News.tv/