Arbitrar ddhe të paligjshëm e cilëson opozita vendimin e Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, për pezullimin e projekteve të HEC-eve në vend.

Eno Bozdo, ish-Ministër i Energjisë, shprehet se vendime të tilla janë kundër të gjitha rekomandimeve dhe nismave të institucioneve ndërkombëtare.

Bozdo: Qeveria në vend të inkurajojë të gjitha nismat e investimeve në energji të rinovueshme, atë që bën Komisioni Europian, Bashkimi Europian me qeverinë e tij, atë që bëjnë qeveritë e vendeve anëtare, të gjitha vendet e zhvilluara, praktikisht i godet ato me anë të një vendimi jo vetëm joligjor por edhe absurd. Me një konferencë shtypi ku Ministrja deklaroi ngrirjen e të gjithë kontratave që nuk kishin hyrë ende në operim.

Bozdo deklaron se qeveria e majtë gjithmonë ka goditur sektorin e energjisë në Shqipërisë.

Bozdo: Ka goditur juridikisht kontratat, ka diferencuar çmimin e blerjes. Sot çmimi i blerjes së energjisë së rinovueshme është më i ulët nga ai që parashikohej në përllogaritjen e 5-6 viteve më parë. Edhe mënyra sesi i trajton, pavarësisht se kush e ka fajin, kush i ka përgjegjësitë në bazë të kontratës, mjafton që ju mos të operoni, unë do t'ju ngrij, do t'ju skanoj.

Që prej marrjes së këtij vendimi aspak transparent, Ministrja Balluku ka krijuar tek investitorët presion për vijimin e projekteve të cilat janë miratuar në bazë të ligjeve në fuqi.

/Ora News.tv/