Open Arms, "Bomba gati të shpërthejë"

Open Arms, "Bomba gati të shpërthejë"

Anija humanitare "Open Arms" ka kërkuar evakuimin e menjëhershëm të 134 emigrantëve në portet italiane, pasi gjendja e tyre psikologjike është rënduar.

Mjeti lundrues qëndron prej dy javësh në ujërat italianë pasi ministri i Brendshëm i vendit, Mateo Salvini, refuzon zbarkimin e tyre në ishullin e Lampeduzës.

"Duan të hidhen në det, nuk po durojnë dot më. Çdo sekondë që kalojnë në anije është si një bombë gati për të shpërthyer," deklaroi të premten, (17 gusht) kapiteni i mjetit, Mark Raig.

Argumentet e ekuipazhit janë mbështetur edhe nga doktorët vendës, të cilët e konsiderojnë situatën shëndetësore të refugjatëve "emergjencë humanitare".

Për zëvendëskryeministrin Salvini, "emergjencat" janë gjepura politike nëpërmjet të cilave kërkohet të sillen sa më shumë emigrantë në Itali.

Ai po i reziston edhe një urdhri gjykate që lejoi në fillimin e javës afrimin e anijes në portin e Lampeduzës.

Për këtë arsye, një ditë më parë, avokatët e ekipit humanitar ngritën një padi kundër Salvinit në Prokurorinë e Agrixhentos në Siçili, duke e akuzuar për sekuestrim personi, dhunë dhe abuzim me pushtetin.

Në debat është përfshirë së fundmi edhe kryeministri Xhuzepe Konte, i cili nëpërmjet një letre e kritikoi ministrin e tij se është i fiksuar kundër emigracionit.

Salvini u përgjigj se fiksimi i tij janë lufta kundër trafikantëve të njerëzve dhe sigurimi i kufijve të vendit.

Autoritetet e Bashkimit Europian e quajnë situatën me anijen dhe emigrantët të patolerueshme dhe kanë ofruar shpërndarjen e tyre në gjashtë shtete europiane nëse do të zbarkonin në Itali.

EMISIONET