Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar formalisht paktin për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e migracionit.

Pakti vullnetar u votua me 152 vota pro, 5 vota kundër dhe 12 abstenime, ndërsa 24 shtete anëtare nuk morën pjesë në seancë.

Kundër marrëveshjes u shprehën Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Hungaria, Republika e Çekisë dhe Polonia.

Në shpjegimin e tij, përfaqësuesi amerikan tha se miratimi i paktit ishte një orvatje për krijimin e një qeverisjeje globale që dëmton të drejtën e shteteve për të vendosur në mënyrë sovrane administrimin e sistemeve të tyre të emigracionit.

Deklarata e nënshkruar këtë muaj në Marok adreson ndër të tjera çështjen e mbrojtjes së migrantëve kundër trafikimit, integrimin e tyre në vendet pritëse dhe kthimin e sigurt në atdhe.

Pakti është kritikuar prej fillimit nga politikanët e krahut të djathtë ekstrem në Europë, të cilët pretendojnë se mund të rritet numri i refugjatëve që vijnë në Europë nga vendet që janë vatra konflikti.

Negociatat për Paktin Global për Emigracion të Sigurt, të Organizuar dhe të Rregullt nisën në vitin 2016, kur në Europë u shpërngulën rreth 1 milion njerëz.

/Ora News.tv/