Kombet e Bashkuara vlerësojnë se pas gjithë krizave ekzistenciale që ka kaluar BE, financiare, politike dhe gjeopolitike është e rëndësishme që me zgjerimin BE të demostrojë kontinuitet.

Bashkimi Evropian është duke i dhënë një hov të ri zgjerimit në drejtim të Ballkanit perëndimor me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi. "Vendet e Ballkanit janë duke dialoguar me Bashkimin Evropian, dhe ky është një diskutim në të cilin ne nuk jemi të përfshirë”, thotë Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB.

Ky është një zhvillim politik që është nxitur nga Bullgaria, e cila mban presidencën e radhës në BE. Bullgarët donin që bisedimet e pranimit të fillonin me Shqipërinë. Por BE ka shpallur si vende kryesore kandidate Serbinë dhe Malin e Zi, vende të cilave u është hapur një perspektive pranimi në vitin 2025. BE e sheh vitin 2019 si vitin vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe është e vendosur të mos importojë konflikte kufitare nga Ballkani në BE. Në vitin 2019 pritet që Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnjë Hercegovina të marrin statusin e plotë të vendit kandidat për pranim. Në muajin maj Bullgaria do të organizojë në Sofje një konferencë, ku secilit vend aspirant do i jepet një plan individual aksioni, modeluar sipas nevojave të vendit.

Mundësi të besueshme antarësimi

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se pas gjithë krizave ekzistenciale që ka kaluar BE, financiare, politike dhe gjeopolitike është e rëndësishme që me zgjerimin BE të demostrojë kontinuitet. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është t' u ofrojë vendeve një mundësi të besueshme antarësimi në BE.

"Ne shpresojmë që dialogu midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit të jetë pozitiv. Vendet janë shtete sovrene dhe i marrin vendimet vetë”, thotë Stéphane Dujarric.

Ballkani ofron një mundësi të sigurt zgjerimi dhe kjo mund të shfrytëzohet për t' i vënë kufi influencës ruse. Pikë të dobët OKB ka dy vendet ballkanike ku ka pasur angazhimin më të madh, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.

Në Bosnjë-Hercegovinë, zgjedhjet e tetorit pritet të tregojnë si do të jetë perspektiva euro-atlantike e vendit, për të cilën Republika Srpska bën oponencë të fortë. Kurse Kosovës i duhet të kapërcejë ato që liderët kosovarë i quajnë "paragjykime antimyslimane të institucioneve evropiane”.

Sipas Kombeve të Bashkuara "paradoksi është se Bosnjë Hercegovina dhe Kosova janë tashmë të integruara në BE. Me misionet e veta Bashkimi Evropian ka qenë i angazhuar në këto vende me aspekte të ndryshme të qeverisjes. Këto vende i kanë dhënë pjesë të sovranitetit Bashkimit Evropian, por nuk kanë ende të drejtë të gëzojnë antarësinë”.

Mundësitë e besueshme të pranimit varen edhe nga problemet që ekzisojnë brenda BE. Vështirësitë shkaktohen prej presionit të populizmit në BE. Përvoja e shkurtër e zgjerimit të BE-së me Bulgarinë, Kroacinë dhe Rumaninë ka treguar se anëtarësimi në BE nuk është zgjidhja e gjithë problemeve të ekonomive në tranzicion të Evropës lindore. Megjithëse anëtare e BE, Bullgaria vazhdon të ketë probleme si ato që janë shqetësuese në Ballkanin perëndimor, si sistem i dobët i institucioneve demokratike, korrupsion dhe standart i ulët jetese shoqëruar nga migracioni i lartë. Të njëjtat gjëra mund të thuhen edhe për Rumaninë./DW

/Ora News.tv/