Rreth 60 % e banesave ose 100 familje në fshatin Obot kanë prezencë uji në oborr, sikurse disa qindra hektarë tokë në të gjithë njësinë administrative Ana e Malit të Shkodër

Pranë tyre qëndrojnë 20 ushtarë, me 3 mjete të larta dhe dy varka, në gadishmëri për evakuime, në rast nevojë

Të zgjedhurit vendorë flasin për rreth 1 mijë hektarë të përmbytura, ndërsa ministria e Mbrojtjes për maksimumi 600 hektare më prezencë uji.  Gjatë mbrëmjes së kaluar 35 fermerë u izoluan në ferma ku mbarështrojnë qindra kokë gjedh.

Për Kryebashkiaken e Shkodrës situata është emergjente, ndaj dy herë në harkun e pak orëve kërkoi nga prefekti që ta zyrtarizojë atë. Arsyeja sipas saj është keqmenaxhim i kaskadës së Drinit dhe shkarkime të pakontrolluara që po vënë në rrezik jetën e banorëve të këtyre zonave.

Por ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, gjatë një inspektimi në Vaun e Dejës përsëriti qëndrimin që se nënshkodra nuk u përmbyt nga shkarkimet në hidrocentrale.

Gjiknuri: Ato pak përmbytje që kanë ndodhur nuk kanë ndodhur për shkak të shkarkimit të ujërave nga kaskada. Më shumë janë përmbytje natyrore në ato fshatra që ka ndodhur,

Një përgjigje ministri ja dha edhe pretendimeve të kryebashkiakes së Shkodres dhe banorëve të përmbytur lidhur me dëmshpërblimet, duke lënë të nënkuptohet qartë se nuk do të ketë.

Gjiknuri: Dëmshpërblimi në përgjithësi është kryer. Megjithëse në atë kohë ju ngarkua KESH-it, për mendimin tim dhe nga informacionet që kam, ju ngarkua një përgjegjësi që nuk e ka pasur. Megjithatë dëmshpërblimi përgjithësisht është kryer. Së dyti, mjafton t’ju them faktin që po shkarkohet më pak sesa ka prurje, HEC-et ndihmojnë në përballimin e përmbytjeve

Aktualisht hidrocentrali i Vau Dejësit po punon me kapacitet të plotë prej 5 agregatësh, por frika e shtimit të prurjeve mund të ndikojë në rritjen e sasisë së shkarkimeve

/Ora News.tv/