Policia e Fierit i ka sekuestruar 30 450 euro një 37 vjeçari në makinën e tij pasi ky i fundit nuk dha asnjë shpjegim për origjinën e parave.

Përmes një njoftimi zyrtar, policia e Fierit tha se paratë u gjetën dhe u sekuestruan në makinën e një shtetasi të identifikuar vetem me inicialet B.K.

Ky i fundit u vu në ndjekje nga një patrullë e policisë lokale pasi nuk iu bind urdhërit të Policisë për të ndaluar. 

"Në datën 21.07.2018, në lagjen “1 Maji” Fier, në vendin e quajtur "Rotondo e Kryqëzimit të Parkut”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, nuk i është bindur urdhërit të punonjësve të policisë në pikë kontrolli dhe mbasi është ndjekur e ndaluar nga shërbimet e policisë, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30450 euro, për të cilat nuk dha shpjegim për origjinën e tyre" thotë policia.

Sasia e parave është sekuestruar, ndërsa 37 vjeçari fierak u procedua penalisht për “Pastrim të produkteve të veprës penale" dhe "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik.

Dosja i kaloi prokurorisë Fier për veprime të mëtejshme.


/Ora News.tv/