Noka paralajmëron publikimin e materialeve të reja për Agron Xhafaj

Noka paralajmëron publikimin e materialeve të reja për Agron

Deputetët e opozitës përsëri kanë marrë pjesë në komisione vetëm për të ngritur si shqetësim video-përgjimin e publikuar me vëllain e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Mbledhja e Komisionit të Ligjeve është zhvilluar mes debateve të ashpra, pasi deputetët e opozitës nuk kanë pranuar që punimet të zhvillohen normalisht. E njëjta situatë u përsërit edhe në Komisionin e Ekonomisë. 

Kryefjala e opozitës në Komisionet parlamentare ishin akuzat ndaj Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Deputeti, Bardh Spahia, debatoi me kreun e Komisioneve të Ligjeve, Ulsi Maja, duke kërkuar që Komisioni të mos vijojë me diskutimet për temën e ditës, në një kohë që po flitet për një ngjarje kaq të rëndë.

Por Manja iu përgjigj se Komisioni i Ligjeve nuk është Komisioni i Babales.

Bardh Spahia: Pse nuk e luftoni trafikun e drogës? Ulsi, jeni bërë palaço në mbrojtje të trafikut të drogës dhe trafikantëve.

Ulsi Manja: Nuk është Komisioni i Babales ky ju lutem, është Komisioni i Ligjeve.

Edhe në Komisionin e Ekonomisë u vu re një prezencë e shtuar e deputetëve demokratë. Flamur Noka u shpreh se shumë shpejt do të publikohen fakte të tjera që dokumentojnë mbrojtjen e Ministrit për të vëllain.

Por për kreun e Komisionit, Erjon Braçe, Prokuroria do të hetojë dhe do të zbardhë ngjarjen pasi në demokraci nuk bëhen gjyqe familjare.

Flamur Noka: Mburoja politike e të vëllait, trafikant droge i dënuar. Do të dalë material tjetër që do të vërtetojë katërcipërisht që gjatë kohës që Ministër i Brendshëm është Fatmir Xhafaj, i vëllai i tij ka qenë shumë aktiv në trafikun e drogës.

Erjon Braçe: Zoti Noka, nuk funksionon që ti të shpall fajtor dhe pastaj duhet ta bëjnë institucionet këtë. Jo mor zotëri jo, vetëm tek kasapi funksionon kështu. E vë delen atje dhe e merr dhe e ther dhe nuk gjykon kush.

Opozita ka paralajmëruar një protestë në 26 maj, ku do të kërkojë dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

EMISIONET