Nobeli për kantautorin Bob Dylan, një thyerje e traditës

Nobeli për kantautorin Bob Dylan, një thyerje e traditës

Një zë origjinal në pejzashin artistik amerikan ka marrë nderimin më të lartë për krijimtarinë letrare. Bob Dylan, kantautori që ka fituar çdo çmim muzikor, do të njihet tani edhe si "Fituesi i Çmimit Nobel në Letërsi", një nderim që shihet nga admiruesit e tij si një konfirmim i pritur prej vitesh, por që është përcjellë edhe me kritika nga disa qarqe letrare.

Një Nobel këtë radhë jo për një kontribut letrar që matet në pirgje me libra, jo për forcën e fjalës së shkruar, por për lirikën nën tingujt e muzikës. Ishte një vendim aq radikal sa vetë vepra e Bob Dylanit.

Për mbi 50 vjet ai ka përcjellë në vargje furtunën e brezit të tij dhe të konflitkti të brendshëm të individit me një simbolikë të gjallë, me fraza letrare që kanë arritur të kapin përshtjellimin social të viteve 1960: revoltat për të drejtat civile, protestat ndaj Luftës në Vjetnam; një Amerikë që po linte pas kujtimet e dy luftrave, në pragun e një epoke të re, por edhe një shpirt të vrarë nga një jetë, një luftë të brendshme me cinizmin; ai ka arritur të përshkruajë dashurinë e papërshkrueshme dhe të dhimbjen e pamatshme.

Komiteti Nobel në motivacionin e çmimit, përmend se zgjodhi të nderonte një zë origjinal në pejsazhin amerikan të artit, një forcë krijuese që ka influencuar një zhanër të tërë muzikor dhe ka përcjellë në vargje e tinguj eksperiencën e një brezi:

Sara Daniues e Komisionit të Çmimeve Nobel thotë:

“Më pëlqen shumë muzika e Bob Dylanit; më pëlqejnë në veçanti vargjet. Ai është shumë i zoti në rimë, në refrene; ai është tepër i zoti në figura poetike, shpesh duke shkruar figura surealiste”.

Vargjet e tij, ashtu si vetëm krijimtari muzikore e Bob Dylanit evoluan në rrjedhën e dekadave. Ai shpërtheu në skenë si një këngëtar i traditës folk, në kohën kur një brez amerikanësh ishte hedhur në revoltë ndaj regjimit dhe luftës, ndaj Amerikës konvencionale.

Djaloshi i lindur në një familje hebraike në Deluth të Minesotës, i këndoi erërave të ndryshimit që kishin pushtuar vitet 1960, por edhe emocionit intim të dashurisë së parë në stepat e ngrira të Minesotës në këngën “Mos Më Thuaj Kurrë Lamtumirë”:

Muzgu mbi liqen,

Era që shpërthen

Mbi gjurmët mbi borë

Mbi heshtjen e thellë.

Bob Dylan ka qenë prej vitesh kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi por megjithë lobizmin e admiruesve të tij që prej gjeneratash e kanë trajtuar si profet, nuk mendohej se Komisioni i Nobeleve do të zgjidhte një kantautor për këtë çmim prestigjoz. Tradicionalisht, fituesit e Nobelit kanë qenë titanë të letërsisë me një audiencë globale për veprën e tyre.

Është një vendim që nuk ka kaluar pa kritika. Kandidatura e Bob Dylanit është parë prej vitesh në disa qarqe shkrimtarësh si ofendim për këtë formë arti. Poeti anglez Philip Larkin shkruante se vargu i Bob Dylanit ishte gjysmë i pabërë – një aludim se tekstet e këngëve nuk mund të konsiderohen vepra letrare, pasi krijimtaria e kantautorit është e pandashme nga tingulli muzikor. Dylan, argumentojnë kritikët e kësaj zgjedhjeje për Nobel, nuk mund të konsiderohet si shkrimtar i mirëfilltë.

Por ashtu si dramaturgu që nuk krijon thjesht dialogje, por edhe një skenë ku gjallojnë personazhet e tij, Dylan krijoi vargje që gjenin forcë në stakaton e kitarrës, në jehonën e tamburit, në pauzën mes vargjeve. Pa fraza shpjeguese, pa paranteza të shkruara, vargu i tij merr jetë nga timbri muzikor.

"Kohët po ndryshojnë", këndonte dikur Bob Dylan kur qindra mijëra amerikanë kishin zgjedhur të brohorisnin për paqen. Siç duket kohët po ndryshojnë edhe në Suedi. Komisioni i Çmimeve Nobel dëshmoi me këtë zgjedhje se ky nderim nuk i përket vetëm konvencionales, se edhe një varg kënge, sado i thjeshtë në dukje, kërkon një penë të fuqishme./VOA/

EMISIONET