Një objekt i mistershëm prej guri që ka formën e një cigareje dhe që u detektua në tetor, vjen nga një tjetër sistem diellor, një vëzhgim i paprecedentë që u konfirmua të hënën nga astronomët.

Ky detektim hap një dritare të re mbi krijin e botëve të tjera diellore në galaktikën tonë, Rruga e Qumështit, sipas shkencëtarëve që rezultatet e analizimit të të dhënave i kanë publikuar në revistën britanike “Nature”.

Asteroidi i quajtur “Oumuamua” nga zbuluesit e tij është rreth 400 metra i gjatë dhe rreth 40 metra i gjerë.

“Kjo formë është e pazakontë mes 750 000 asteroidëve dhe kometave të vëzhguara deri tani në sistemin tonë diellor, ku janë krijuar”, sipas studiuesve.

Astronomët vlerësojnë se një asteroid ndëryjor i ngjashëm me “Oumuamua” kalon brenda sistemit tonë diellor një herë në vit.

Por, ata janë të vështirë që të dallohen dhe deri tani nuk ishte detektuar asnjë.

Sipas astronomëve, ky objekt i pazakontë ka udhëtuar i vetëm në të gjithë Rrugën e Qumshtit prej qindra milionë vitesh para se të kalojë në sistemin tonë diellor dhe të vazhdojë rrugën e tij.

Më 20 nëntor, ky objekt udhëtonte me një shpejtësi prej 38,3 kilometrash në sekondë dhe gjendej rreth 200 milionë kilometra nga Toka.

“Oumuamua” kaloi në orbitën e Marsit më 1 nëntor dhe do të kalojë pranë Jupiterit në maj të vitit 2018 para se të vazhdojë rrugën drejt Saturnit në janar 2019 ndërkohë që do të dalë nga sistemi jonë diellor në drejtim të yjësisë së Pegasusit. /ATA/

/Ora News.tv/