Marrëdhëniet me ShBA-në dhe një luftë e mundshme tregtare në horizont, ishin ndër shqetësimet kryesore të gazetarëve gjatë konferencës së shtypit të ministrit të Jashtëm të Kinës Wang Yi, gjatë sesionit vjetor parlamentar që po zhvillohet në Pekin.

Kreu i diplomacisë i hodhi poshtë zërat që thonë se Kina po përpiqet të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara në çështjet globale. Wang Yi, pranoi se ka konkurrencë midis Kinës dhe ShBA-së, por sugjeroi që të dy vendet duhet ta trajtojnë veten si partnerë dhe jo si rivalë.

"Disa njerëz në Shtetet e Bashkuara besojnë se Kina po tejkalon rolin e ShBA-së në çështjet ndërkombëtare. Ky është një gabim themelor strategjik,"Wang.

I pyetur për një luftë të mundshme tregtare me ShBA-në, Wang tha se Kina do të kthejë një "përgjigje të justifikuar dhe të nevojshme" në rast se administrata e presidentit Donald Trump nis një luftë tregtare. Por ai bëri thirrje për dialog "të qetë" për të gjetur një zgjidhje.

"Ne shpresojmë se të dyja palët do të ulen me qetësi për të gjetur një zgjidhje me përfitime të dyanshme përmes dialogut të barabartë dhe konstruktiv," tha Wang, citon CRI shqip. 

Më tej, kryediplomati theksoi se diplomacia kineze e epokës së re do të krijojë një mjedis më të mirë të jashtëm për zhvillimin e vendit.

"Nëse ka konkurrencë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, ajo duhet të jetë e shëndetshme dhe pozitive, gjë që është normale për shkëmbimet ndërkombëtare", tha Wang.

Ministri i Jashtëm Wang Yi, shtoi se presidenti Xi Jinping ka qenë kryearkitekti i diplomacisë së Kinës, i përfshirë personalisht në planifikimin dhe zbatimin e diplomacisë "së shkëlqyer" së kreut të Shtetit.

Me rritjen e ndikimit ndërkombëtar të Kinës në fusha të ndryshme vitet e fundit, është përhapur edhe teoria e kërcënimit që vjen prej saj. Por ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha se kjo teori ka rënë. Ai vuri në dukje se për dhjetëra vjet, Perëndimi ka bërë gjykime të pa baza për kërcënimin që vjen nga Kina.

"Faktet tregojnë se Kina është kontribuuesja kryesore e rritjes ekonomike botërore me një përqindje mesatare vjetore prej mbi 30%, duke kaluar kontributin e përbashkët të ShBA-së, Japonisë dhe të eurozonës," tha Wang.

/Ora News.tv/