Këtu jemi në rrugën "Sabaudin Gabrani" në Tiranë, një zonë informale në të cilën askush nuk do të mendonte se ndodhet në Tiranë.

Gjylameti: Erdha për të parë zonën vetë pavarësisht shqetësimeve që më kanë ngritur banorët sepse është një zonë që do të duhet të rehabilitohet në të gjitha aspektet në të gjitha standardet.

Blerina Gjylameti është deputete e zonës së Kombinatit, një zonë e vështirë dhe me problematika të mëdha infrastrukturore.

Rrugës, gjatë inspektimit të zonës, disa dhjetëra qytetarë, ndalen dhe shfrytëzojnë mundësinë për të qarë hallin e tyre në një zonë ku rruga mungon prej shumë vitesh .

Blerina: Ajo çka ka ndodhur në 28 vjet ka qene që gjithkush është ftuar të ndërtojë atje ku të mundet pa patur infrastrukturë. Vështirësitë unë nuk i kam patur thjesht për faktin se kam qenë përfaqësuese e PS dhe nuk kam arritur të realizojë të gjitha investimet në zonë por mbi të gjitha sepse ne si përfaqësues të PS morëm përsipër përgjegjësi më shumë edhe para 2 viteve. Mjafton të them se ka patur investime pa fund, në zonën ku jemi pavarësisht kësaj situate ku ne jemi sot, investimet që janë bërë në 4 vite nga Bashkia Tiranë dhe falë mbështetjes kanë qenë në 8.8 mln euro.

Shpresa e banorëve është që rruga të bëhet deri në qershor, pasi si për të gjithë shqiptarët, fushata dhe zgjedhjet janë një mundësi e mirë për të përfituar diçka.

Gjylameti: Na shohin si e vetmja alternativë qeverisëse sot dhe për sa kohë na shohin si alternativë e vetme qeverisëse, edhe ne do të duhet që të jemi edhe më shumë të angazhuar që pritshmëritë e tyre të realizohen.

Zgjedhjet vendore janë në prag dhe për Partinë Socialiste që ka rikonfirmuar Erion Veliajn dhe skuadrën e tij për të kërkuar një madat të dytë, është më e thjeshtë për të menduar se çfarë premtimesh do të bëjë për 4 vjeçarin e ardhshëm.

Gjylameti: Skuadra e Tiranës tashmë është konfirmuar në të gjithë njësitë, ndërkohë përveç kryetarit të Bashkisë, edhe ekipi i këshilltarëve duhet të jetë në lartësinë e duhur.

Deputetja Gjylameti premton se do të vijë sërish në këtë zonë kur rruga të ketë përfunduar.

Për banorët, rruga vjen e para, më pas trotuari, ndriçimi, shkolla.

Pavarësisht të gjithave, ata duan më shumë t’i shohin deputetët e tyre të zgjedhur në rrugët ku kalojnë përditë për të qarë hallet, se sa të enjteve në sallën e parlamentit, ku vetëm për atë rrugë nuk dëgjojnë të flitet.

/Ora News.tv/