Pavarësisht afërsisë gjeografike dhe gjuhës së përbashkët, Shqipëria dhe Kosova kanë nivel të ulët të shkëmbimeve tregtare. Eksportet dhe importet kane mbetur pothuajse te pandryshuara në 5 vitet e fundit, pavarësisht vullnetit politik të shprehur në mbledhjet e përbashkëta të qeverive dhe në një sërë marrëveshjesh ekonomike të nënshkruara mes dy palëve.

Janko: Në 5 vjet, shkëmbimet tregtare për eksportet dhe po të shikojmë edhe importet, janë pak a shumë të njëjta, çka dëshmon se këto marrëveshje nuk kanë dhënë rezultat siç pritej. Duhet të punojmë konkretisht. Nuk mjafton që ne bëjmë memorandume dhe marrëveshje bashkëpunimi dhe nuk dimë ku është situata në të dy vendet dhe ku do të na çojnë këto marrëveshje.

Në rubrikën 'Para e Pasuri' të Aurora Sulçes, eksperti i ekonomisë Enea Janko mbështet idenë e krijimit të tregut të përbashkët duke filluar nga unifikimi i sistemit tatimor dhe doganor, si dhe i procedurave dhe standardeve.

Janko: Unë mendoj që unifikimi i tregut duhet të fillojë nga unifikimi i sistemit fiskal. Po të ketë vullnet politik, teknikisht është i mundur dhe besoj edhe impakti në ekonomitë e të dy vendeve, aq më shumë edhe në buxhetet e të dy vendeve, do të jetë pozitiv.

Në 9 muajt e parë të këtij viti eksport Shqipëri-Kosovë kapin vlerën 15.5 mld lek ndërsa importet 6.1 mld lekë.

/Ora News.tv/