Nisma e ministrisë së Bujqësisë për subvencionimin e fermerëve që prodhojnë dhe përpunojnë qumështin, cilësohet pozitive por e pamjaftueshme nga kreu i Dhonës së Tregtisë, Nikolin Jaka. Ndërsa kryetari i Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj thotë se kjo nismë do të rrisë sigurinë ushqimore në vend. Peleshi prezantoi një ditë më parë, projektin që synon subvencionim për fermerët deri ne 10 lekë për litër për qumështin e cilësisë së parë.

Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit në vend kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë që të hartojë masa konkrete për këtë industri, në drejtim të subvencionimit apo rimbursimit, pasi në të kundërtën Shqipëria do vijojë të përpunojë jo më shumë se 11% të sasisë së qumështit që hidhet në treg.

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, thotë për “Channel One” se iniciativa e ndërmarë nga ministri Peleshi është pozitive, por ajo nuk duhet të mbetet në kuadrin e projekteve, pasi është një fillim i mirë por i pamjaftueshëm.

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë e Industrisë: Është një iniciativë për të dnërhyrë në reforma strategjike për industrinë e qumështit. Nëse do kemi impelementimin e iniciativave që ministri prezantoi, jam i bindur që është një fillim i mirë, por i pamjaftueshëm.

Ndërsa Agim Rrapaj, kryetar i këshillit të Agro-Biznesit shqiptar, thotë, se nëse kjo iniciativë realizohet, do të sillte prodhim të qumështit cilësor, duke ndikuar në sigurinë ushqimore për konsumatorët.

Ai thekson, se kjo iniciativë duhet të pasohet edhe me hapa të tjerë.

Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agro-Biznesit Shqiptar: E mbështesim këtë iniciativë. Natyrisht, fillon zgjidhja por nuk është zgjidhja. Është fillimi i zgjidhjes së proçesit. Mendojmë, se nëse kjo vijon me seriozitetin që është marrë, do të ketë impakt sidomos në shtimin e prodhimit të qumështit cilësor. Do të ketë impakt pozitiv në sigurinë ushqimore dhe do të shtohet sasia e qumështit të përpunuar në vend, që është jo më shumë se 11%. Kjo masë mendojmë, se është hapi i parë i domosdoshëm, por duhet pasuar me hapa të tjerë të kësaj natyre duke vazhduar deri në krijimin e mundësisë që të përpunojmë më shumë se 40 apo 50% të sasisë së qumështit. 

Këtë të mërkurë, ministri Niko Peleshi mblodhi përfaqësues të industrisë së përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, ku prezantoi nismën, për disiplinimin e sektorit të qumështit, që synon mbeshtetje në investime dhe subvencionim për fermerin deri ne 10 lekë për litër për qumshtin e cilësisë së parë.

Po ashtu, ai njoftoi nisjen e një aksioni në sektorin e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, për përmbushjen e standardeve të sigurisë ushqimore.

/Ora News.tv/