Nisin hetimet për plagosjen e të moshuarit në Lushnje, familjarët akuza policisë

Nisin hetimet për plagosjen e të moshuarit në Lushnje,

Prokuroria e Lushnjes ka nisur hetimet në lidhje me rrethanat ende të paqarta në të cilat mbeti i plagosur 77-vjeçari, Haxhi Lika, gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në banesën e tij mëngjesin e të premtes. Policia nuk ka ende një version zyrtar për rrethanat e plagosjes, ndërsa në lidhje më ngjarjen ka nisur hetimet edhe SHÇBA që po verifikon nëse është zbatuar plani operacional. Nga spitali i Traumës ku ndodhet i shtruar i pagosuri, djemtë e tij akuzojnë policinë ndërsa thonë se nuk kanë lidhje me personat në kërkim. 

Prokuroria e Lushnjes ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së premtes në fshatin Rremas, ku një 77- vjeçar mbeti i plagosur pas aksionit të policisë për kapjen e personave në kërkim. 

Objekt i hetimit është përcaktimi i rrethanave të plagosjes së Haxhi Likës.

Mësohet se krahas prokurorisë, një hetim ka nisur edhe nga SHÇBA në Ministrinë e Brendshme për të parë nëse janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore të ndërhyrjes dhe nëse ka pasur ndonjë shkelje të planit të masave nga efektivët që morën pjesë në operacion. 

Aktualisht 77 vjeçari Lika ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës në kryeqytet dhe sipas mjekëve gjendja e tij është e stabilizuar. 

Dy djemtë, të cilët u shoqëruan një ditë më parë, deklarojnë se nuk kanë asnjë lidhje me Laert Haxhiun, apo personin tjetër që kërkonte RENEA, Orgest Bilbili. 

Albert dhe Martin Lika thonë se ka qenë policia ajo që ka plagosur babanë e tyre dhe duan të dalë e vërteta dhe të mbahet përgjegjësi.

Djali i të plagosurit: Vete i çorinetuar nga babai, policia tha mos shko brenda. U thashë të shkoj të shikoj babanë njëherë. Shkoj brenda, babai ishte i shtrirë në krevat. Zbres nga shkallët dhe më morën me dhunë.

Djali i të plagosurit: Mirë që më vranë babanë, por na kanë akuzuar.Kam dy fëmijë. Policisë i bëj apel ta tërheqë mbrapsht akuzën se ne strehojmë kriminelë, të ma faktojë.

Djemtë e 77 vjeçarit pranojnë se i ati ka një çifte me leje por atë ditë nuk e ka përdorur, ndërsa thonë se nuk kanë njohje me dy të kërkuarit e policisë.

Djali i të plagosurit: Ne duam të drejtën, policia të tërheqë mbrapsht akuzën se kemi strehuar kriminelë. Të na lërë rehat dhe të vijë të kërkojë falje, të na qetësojë dhe ne.

Ngjarja ku mbeti i plagosur 77 vjeçari, Haxhi Lika, ndodhi të premten në mëngjes. 

Sipas policisë, efektivë të RENEA-s, Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcave Operacionale kanë mbërritur në banesën e 77 vjeçarit Haxhi Lika, ku kishte dyshime se fshiheshin të shumkërkuarit Leart Haxhiu dhe Orges Bilbili. 

Policia tha pas ngjarjes, se 77 vjeçari Lika nuk i është përgjigjur thirrjes së forcave të rendit, por ka dalë ne dritare me çifte në dorë dhe në rrethana të pa qarta ka mbetur i plagosur pas të shtënave paralajmëruese drejt banesës. 

Familjarët akuzojnë policinë për plagosjen e të moshuarit ndërsa nga grupi i hetimit bëhet me dije se ekspertët mjeko-ligjorë po punojnë për përcaktimin e shkakut të dëmtimit që ka pësuar i moshuari.

 

EMISIONET