Presidenti i Republikës, Bujar Nishani çmoi sot (23 shtator) aktoren dhe regjisoren e shquar Marie Logoreci me Dekoratën “Nderi i Kombit” (pas vdekjes). Sipas presidentit Nishani ky nderim u bë “në vlerësim të interpretimeve mjeshtërore e të paharrueshme të gruas dhe nënës shqiptare, duke skalitur me realizëm një galeri mbresëlënëse e simbolike portretesh në skenat teatrale, dhe të kontributit thelbësor e të pamohueshëm të saj si një nga themelueset dhe pionieret e kinematografisë sonë”. Gjatë ceremonisë solemne ku ishin të pranishëm familjarë e të afërm të aktores shkodrane, artistë e personalitete nga fusha e artit, Nishani tha se “të flasësh për një artiste të lindur si Maria, është e vështirë për këdo”. “Jam më se i bindur se në gjerdanin e panumërt të roleve dhe interpretuesve të skenës dhe kinematografisë sonë të shekullit të kaluar nuk ka pasur gur më të shndritshëm se Marije Logoreci, e cila mishëronte dhe pasqyronte katërcipërisht të gjitha virtytet e rralla e të çmuara të gruas dhe nënës shqiptare,” u shpreh Presidenti i Republikës. Kreu i Shtetit gjithashtu tha se që në fillim të mandatit të tij i kishte vënë detyrë vetes për të vlerësuar zyrtarisht e për t’u shprehur mirënjohjen të gjithë  figurave të rëndësishme historike, artistike, shkencore, atdhetare.

/Ora News.tv/