Nis zhbllokimi nga dëbora i rrugës Qafë Thore-Theth

Nis zhbllokimi nga dëbora i rrugës Qafë Thore-Theth

Pas 4 ditësh i bllokuar nga rënia e dëborës, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur ndërhyrjen për zhbllokimin e rrugës nga Qafa e Thores deri në Theth. 

Prefekti i Shkodrës Çesk Millja tha se kushtet atmosferike kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e situatës nga reshjet.

Duke u ndalur tek bllokimi i këtij aksi me gjatësi prej 14 kilometrash, Millja ka bërë të ditur se është shumë pranë zgjidhja përfundimtare për mbajtjen hapur të rrugës. Në Qafë Thore do të stacionohen mjete borëpastruese që do të mbajnë të hapur këtë segment.

Edhe në lidhje me energjinë elektrike po punohet për rikthimin e saj në të gjithë zonën e Dukagjinit. Aktualisht me riparimin e hidrocentralit të Nderlysës, gjysma e fshatrave kanë energji, por shqetësim mbetet riparimi i shtyllave dhe linjave të dëmtuara. Në pjesën tjetër të veriut, si në aksin Selce-Vermosh në Kelmend, apo në Pukë e Fushë Arrëz edhe pse ka prezencë dëbore në rrugë, ato kalohen pa probleme.

EMISIONET